Në zonat e çliruara në Ukrainë, shfaqen torturat e tmerrshme të rusëve

Në Ukrainën veri-lindore, kundër-ofensiva ka bërë që forcat ukrainase të rimarrin një pjesë të territorit dhe të dëbojnë trupat ruse. Por në zonat e sapoçliruara, lehtësimi dhe pikëllimi janë të ndërthurura – ndërsa shfaqen rrëfime për torturat dhe vrasjet gjatë muajve të gjatë të pushtimit rus.
Artem, i cili jeton në qytetin Balakliya në provincën Kharkiv tha për BBC se u mbajt nga rusët për më shumë se 40 ditë dhe u torturua me goditje elektrike. Balaklija u çlirua më 8 shtator, pasi ishte pushtuar për më shumë se gjashtë muaj nga rusët. Epiqendra e brutalitetit ishte stacioni i policisë së qytetit, të cilin forcat ruse e përdorën si selinë e tyre.
Artem tha se mund të dëgjonte britma dhimbjeje dhe tmerri që vinin nga qelitë e tjera. Pushtuesit u siguruan që klithmat të dëgjoheshin, tha ai, duke fikur sistemin e zhurmshëm të ventilimit të ndërtesës. “E kanë fikur që të gjithë të dëgjojnë sesi njerëzit bërtasin kur torturohen me rrymë”, tha ai. “Këtë ua bënin disa të burgosurve çdo ditë. Madje ua bënin edhe grave”. Këtë i’a bënë Artemit, megjithëse në rastin e tij vetëm një herë. “Më bënë të mbaj dy tela,” tha ai.
“Kishte një gjenerator elektrik. Sa më shpejt lëvizte, aq më i lartë ishte voltazhi. Ata thanë se “nëse e lëshon, ke mbaruar”. Pastaj filluan të bënin pyetje. Ata thanë se po gënjeja dhe filluan ta rrotullojnë shumë dhe tensioni u rrit”. Artemi na tha se ishte arrestuar sepse rusët gjetën një foto të vëllait të tij, një ushtar me uniformë.
Një tjetër burrë nga Balakliya u mbajt për 25 ditë sepse kishte flamurin ukrainas, tha Artem. Një drejtoreshë shkolle e quajtur Tatiana na tha se ajo u mbajt në komisariat për tre ditë dhe tha se dëgjoi britma nga qelitë e tjera. Ne vizituam stacionin e policisë dhe pamë Lutjen e Zotit të gërvishtur në murin e një prej qelive të ngushta, së bashku me shenjat që tregonin se sa ditë kishin kaluar.
Oficerët e policisë ukrainase thonë se deri në tetë burra u mbajtën në qelitë e destinuara për dy persona. Ata thonë se vendasit kishin frikë të kalonin stacionin kur rusët ishin aty.
Në qendër të qytetit të Balakliya, ku flamuri ukrainas valëvitet përsëri, turmat u mblodhën rreth një kamioni të vogël që transportonte furnizime ushqimore. Shumë persona në radhë ishin të moshuar dhe dukeshin të rraskapitur. Por pati edhe ribashkime të lumtura, pasi miqtë përqafuan njëri-tjetrin për herë të parë që kur rusët i dëbuan.
Disa nga viktimat ishin varrosura me nxitim nga fqinjët e tyre. Një kryq i papërpunuar prej druri shënonte varrin e improvizuar të një taksisti të quajtur Petro Shepel. Pasagjeri i tij – identiteti i të cilit ende nuk dihet – shtrihet pranë tij. Autoritetet thonë se dy burrat u qëlluan pranë një postblloku ruse në ditën e fundit të okupimit.
Nëna e Petros, Valentina, shikoi teksa zhvarroseshin kufomat. “Dua ta pyes Putinin, pse qëlloi dhe vrau djalin tim?”- tha ajo duke qarë. “Unë jam një grua e vdekur. Dua t’u drejtohem të gjitha nënave të botës: rebelohuni kundër atij vrasësi.”-tha ajo. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




