Ofensiva në Kharkiv, ushtria ukrainase thotë se ka trefishuar zonën e rimarrë

Botë | 4 vite më parë

Ushtria e Ukrainës thotë se forcat e saj kanë rimarrë mbi 3,000 km katrorë, gjatë një kundërofensive të shpejtë në Ukrainën lindore. Përparimi i jashtëzakonshëm, nëse konfirmohet, do të thotë se forcat e Kievit tashmë kanë trefishuar zonën e rimarrë në pak se 48 orë. BBC nuk mund të verifikojë shifrat ukrainase dhe gazetarëve i’u është mohuar afrimi në vijat e frontit. 

Të shtunën, trupat ukrainase të hynë në qytetet jetike të furnizimit për Rusinë, Izyum dhe Kupiansk. Por zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëruan se luftimet kanë vazhduar edhe jashtë këtyre qyteteve.  Zyrtarët në Kiev thanë se forcat ukrainase po luftonin ende për të fituar kontrollin e një numri vendbanimesh rreth Izyum. 

Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi tërheqjen e forcave të saj nga Izyum dhe Kupiansk, gjë që tha se do t’i lejonte forcat e saj “të rigrupohen” në territorin e mbajtur nga separatistët që  mbështeten nga Moska. Ministria ruse konfirmoi gjithashtu tërheqjen e trupave edhe nga një qytet i tretë kyç, Balaklya, në mënyrë që të “forcojë përpjekjet” në frontin e Donetsk.

Kreu i administratës së instaluar nga Rusia në rajonin e Kharkiv apeloi që njerëzit të evakuoheshin në Rusi “për të shpëtuar kokën”. Pamjet e paverifikuara në mediat sociale tregojnë radhë të gjata trafiku të krijuar në pikat kufitare. Guvernatori i rajonit kufitar Belgorod në Rusi, Vyacheslav Gladkov, tha se “mijëra” njerëz kishin kaluar në vend.

Gladkov tha të shtunën se ushqimi i lëvizshëm, ngrohja dhe ndihma mjekësore do të jenë në dispozicion për njerëzit që ikin nga përparimi ukrainas. Ndërkohë, gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti i ushtrisë së Ukrainës, tha se forcat e tij kishin avancuar deri në 50 km (31 milje) nga kufiri rus.

Ritmi i kundërsulmit i ka zënë rusët në befasi. Lideri çeçen Ramzan Kadyrov – një mbështetës i vendosur i Presidentit Vladimir Putin – vuri në dyshim tërheqjen ruse. Por rusët ende mbajnë rreth një të pestën e vendit dhe pak e imagjinojnë një fund të shpejtë të luftës. Vetë Kadyrov këmbëngul se “Rusia do të fitojë” dhe se “armët e NATO-s” do të “dërrmohen”. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme