Irani dënon sanksionet amerikane pas sulmeve në Shqipëri: Skenar i krijuar nga SHBA! Tirana, viktimë

Irani dënon ashpër vendosjen e sanksioneve të SHBA, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit nën akuzën se këta të fundit janë të lidhur me sulmin kibernetik që iu bë vendit tonë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme iraniane Nasser Kanaani e konsideron një komplot pasi sipas tij vendosja e sanksioneve në mënyrë të menjëhershme tregojnë qartë se truri i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare, por administrata amerikane.
Ai shton se sipas tij Tirana ka rënë viktimë e skenarit të krijuar nga Uashingtoni kundër Republikës Islamike të Iranit.
“Deklarata e shpejtë e Amerikës e mbështetjes për akuzat e pabaza të qeverisë shqiptare kundër Republikës Islamike të Iranit dhe hapi i saj i shpejtë që pasoi për të vendosur sanksione të reja ndaj Ministrisë dhe Ministrit të Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit, nën të njëjtat akuza të zbrazëta dhe të paprovuara, tregojnë qartë se truri i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare, por administrata amerikane dhe se Tirana ka rënë viktimë e skenarit të krijuar nga Uashingtoni kundër Republikës Islamike të Iranit”, tha Kanaani.
“Amerika prej vitesh i ka imponuar qeverisë dhe kombit shqiptar mbajtjen e një kulti të theksuar terrorist dhe i ka ofruar mbështetje të gjithanshme, përveç trajnimit dhe armatosjes në fushën e hapësirës kibernetike.
Kjo organizatë kriminale i ka shërbyer vazhdimisht dhe ende shërben si një mjet në duart e Amerikës për të kryer akte terrori, sulme kibernetike dhe për të zhvilluar luftë psikosociale kundër qeverisë dhe kombit iranian”, shtoi ai.
Kanaani shtoi se “pritja nga qeveria shqiptare e një kulti terrorist dhe masa e qeverisë amerikane për të instrumentalizuar kultin, i cili ka gjakun e mbi 17,000 civilëve dhe burrave shtetërorë iranianë në duart e tij, është një shembull i qartë i mbështetjes së organizuar për terrorizmin kundër qeverisë dhe kombit iranian. Republika Islamike e Iranit, do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare për të realizuar të drejtat e kombit dhe për të mbrojtur veten kundër këtij komploti ogurzi”, tha Kanaani.
Shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi “Homeland Justice” pro-iranianë. Hackerat kishin si qëllim të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian të muxhahedinëve në Shqipëri, të cilët do të zhvillonin një konferencë më 23 dhe 24 korrik, por që u anulua për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste. Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
SHBA ka sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe drejtuesin e saj duke i akuzuar ata se janë të lidhur me sulmin kibernetik që iu bë Shqipërisë më 15 korrik. Gjithashtu SHBA thotë se kjo ministri është e përfshirë edhe në aktivitete të tjera kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Sanksionet përfshijnë edhe bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




