Policia kanadeze rrethon një shtëpi, dyshohet se fshihet i kërkuari për 10 vrasje me thikë

Policia kanadeze rrethoi një rezidencë në një rezervat indigjen, ku dyshohet se fshihet një prej autorëve që sulmuan me thikë, duke vrarë 10 persona. Autoritetet paralajmëruan njerëzit në zonë se i dyshuari mund të ishte në atë zonë. Policia lëshoi një alarm urgjent në telefona, duke u kërkuar njerëzve të strehoheshin në shtëpitë e tyre. Ajo deklaroi se i dyshuari, Myles Sanderson, mund të ishte parë në rezervatin James Smith Cree First Nation.
Një reporter i Associated Press dëgjoi njerëz që bërtisnin dhe vraponin. Ai pa dhe policinë të rrethonte një shtëpi, duke bllokuar rrugët që të çonin në rezervat. Një zyrtar i njohur me këtë çështje tha se nuk është konfirmuar nëse Myles Sanderson është brenda, por alarmi u dha si një masë paraprake për sigurinë e banorëve.
Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi ata nuk ishin të autorizuar për ta diskutuar çështjen publikisht. Vëllezërit akuzohen për vrasjen e 10 personave dhe plagosjen e 18 të tjerëve në sulmet e fundjavës. Vëllai i të arratisurit, Damien Sanderson, 31 vjeç, u gjet i vdekur të hënën pranë vendit ku kreu krimin. Policia po heton nëse Myles Sanderson, 30 vjeç, vrau edhe vëllain e tij.
Udhëheqësit e James Smith Cree Nation, ku ndodhën shumica e sulmeve me thikë, fajësuan për vrasjet abuzimin me drogën dhe alkoolin që po rrënonte komunitetin. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




