Ndalimi i vizave për Rusinë, BE-ja shfaqet e ndarë

Botë | 4 vite më parë

Vendet e Bashkimit Evropian nuk ranë dakord nëse duhet të vendosin një ndalim të gjerë të vizave për qytetarët rusë. Ata ishin të ndarë midis dëshirës për të rritur presionin ndaj Presidentit Vladimir Putin, dhe shqetësimit për ndëshkimin e njerëzve që mund të mos e mbështesin luftën e tij kundër Ukrainës. 

BE-ja tashmë ka shtrënguar kufizimet e vizave për zyrtarët dhe biznesmenët rusë që në maj, por thirrjet janë shtuar veçanërisht nga Polonia dhe vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – për një ndalim më të gjerë të turistëve. “Duhet të ketë më shumë kufizime në udhëtimet për qytetarët rusë”, tha ministri letonez i Mbrojtjes Artis Pabriks. 

“Ne nuk mund të japim thjesht shpërblime për njerëzit që mbështesin presidentë të tillë si Putini,” u tha ai gazetarëve në kryeqytetin çek Pragë, ku po takohen ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm të BE-së. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili po kryeson bisedimet, ka thënë se nuk ka gjasa të bihet dakord për ndalimin e vizave për të gjithë qytetarët rusë.

Gjermania dhe Franca po udhëheqin një lëvizje për të shtrënguar kufizimet në dhënien e vizave, përballë kërkesës për një ndalim të plotë të tyre. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, shprehu mbështetje për pezullimin e më shumë pjesëve të marrëveshjes së BE-së të vitit 2007 me Rusinë, si dhe ndalimin e dhënies së vizave me shumë hyrje ose shumëvjeçare.

“Ne nuk duhet të ndëshkojmë ata që kanë guximin të ngrihen kundër këtij regjimi,” tha Baerbock.  Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, tha se vendi i tij është i shqetësuar për një lloj “rruge turistike” ruse përmes aeroportit të Helsinkit. Ai tha se Finlanda do të ulë në mënyrë të njëanshme dhënien e vizave turistike për rusët në 10% të numrit të tyre të zakonshëm nga 1 shtatori. 

Nga e enjtja, Finlanda, e cila ka kufirin më të gjatë me Rusinë nga të gjitha vendet e BE-së, do t’i lejojë qytetarët rusë të aplikojnë për viza turistike vetëm një ditë në javë dhe vetëm në katër qytete në Rusi. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se Moska po i ndiqte nga afër diskutimet për çështjen e vizave të BE-së, duke i përshkruar ato si pjesë të lëvizjeve perëndimore kundër Rusisë që janë “irracionale dhe në kufi me çmendurinë”.

Ai paralajmëroi se Moska do të hakmerret nëse qytetarët rusë janë në shënjestër. Ministrat e mbrojtjes të BE-së peshuan mundësinë e krijimit të një misioni stërvitor për forcat e armatosura të Ukrainës, por vendet e bllokut nuk pajtohen mbi vlerën e shtuar që mund të sjellë një përpjekje e tillë.

Ukraina i ka paraqitur BE-së një listë të kërkesave afatshkurtra dhe afatgjata, duke filluar nga trajnimi bazë ushtarak, organizimi i rezistencës, deri te udhëzimet e nivelit të lartë për përdorimin e pajisjeve ose mbrojtjen kundër armëve bërthamore dhe kimike.

Disa vende tashmë ofrojnë trajnime ushtarake në baza dypalëshe. Holanda theksoi trajnimin e ri të çminimit që po ofron me Gjermaninë. Të tjerë kanë frikë se një përpjekje e BE-së mund të jetë shumë e vështirë. “Nuk është ndoshta mënyra më e shpejtë. Nuk jam aq i bindur”, tha ministri i Mbrojtjes i Luksemburgut, Francois Bausch.

Ministrat diskutuan gjithashtu mënyrat e bashkimit të burimeve dhe materialeve ushtarake dhe përdorimin e peshës së tyre kolektive për të blerë bashkërisht pajisje mbrojtëse dhe për të ndihmuar industrinë evropiane “të rrisë kapacitetet e prodhimit”, tha Borrell. “Ne po shterojmë stoqet tona. Ne po i ofrojmë kaq shumë kapacitete Ukrainës sa duhet të rimbushim rezervat tona”, tha ai.

Ministri sllovak i Mbrojtjes Jaroslav Nad kërkoi ndihmë nga partnerët e BE-së për të “mbushur” nevojat e mbrojtjes kombëtare të vendit të tij, në mënyrë që ai të mund të jetë i lirë të dërgojë më shumë pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë avionët luftarakë Mig-29. Apnews

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme