Gazi, Kremlini: Vetëm sanksionet e pengojnë Nord Stream të funksionojë

Moska fajësoi edhe një herë Perëndimin për reduktimin e eksporteve të gazit rus në Evropë, ku një zëdhënës i Kremlinit deklaroi sot se “nuk ka asnjë pengesë” përveç problemeve teknologjike të shkaktuara nga sanksionet.
Deklarata, e cila vjen vetëm një ditë pas një tjetër ndërprerjeje të planifikuar për shkak të punëve të mirëmbajtjes, përkoi gjithashtu me njoftimin e Engie të Francës, e cila sot zbuloi se ishte informuar nga Gazprom për një reduktim të mëtejshëm dhe të menjëhershëm të dërgesave të gazit natyror, për shkak të një mosmarrëveshjeje të palëve për zbatimin e kontratave.
Franca akuzoi Moskën për përdorimin e furnizimeve me energji si një armë lufte. Gazprom ka njoftuar se do të mbyllë tubacionin për tre ditë në mënyrë që të kryejë punë të mirëmbajtjes.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i pyetur nëse ka ndonjë garanci që Gazprom të rifillojë dërgimin e gazit përmes Nord Stream 1 pas punimeve të mirëmbajtjes u shpreh: “Ka garanci se përveç problemeve teknologjike të shkaktuara nga sanksionet, asgjë nuk e pengon furnizimin”, u përgjigj ai.
“Vendet evropiane, Kanadaja, SHBA-të, Britania kanë vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, të cilat nuk lejojnë kryerjen e punëve normale të mirëmbajtjes dhe riparimit, si dhe nuk lejojnë regjistrimin ligjor të kthimit të pjesëve dhe makinerive në ambientet e tyre. Nuk ka më pengesa të tjera që Rusia të përmbushë detyrimet e saj“, tha ai./CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




