Studimi: Shkrirja e akujve në Groenlandë do të rrisë me 3.5 cm nivelet e deteve, s’ka asnjë mënyrë për ta ndaluar këtë

Botë | 4 vite më parë

Shkrirja e akujve në Groenlandë do të rrisë me 3.5 centimetra nivelet e deteve në të ardhmen e afërt dhe, sipas një studimi të botuar në “Nature Climate Change”, nuk ka asnjë mënyrë për ta ndaluar këtë, edhe nëse bota ndalon emetimet e gazrave serë.

Studiuesit nga Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Groenlandës vëzhguan ndryshimet në vëllimin e shtresave të akullit në dhe përreth Groenlandës dhe panë se rrjedhja e ujërave të shkrirë ka qenë shtytësi kryesor. Duke përdorur “teorinë e mirë-krijuar”, shkencëtarët ishin në gjendje të përcaktonin se rreth 3.3% e shtresës së akullit të Groenlandës, ekuivalente me 110 trilion ton akull, do të shkrihet në mënyrë të pashmangshme ndërsa shtresa e akullit reagon ndaj ndryshimeve që kanë ndodhur tashmë. Rritja e nivelit të detit nga ky akull i shkrirë do të ndodhë “pavarësisht nga ndonjë rrugë klimatike e parashikueshme në të ardhmen këtë shekull”, sipas autorit kryesor Jason Box, një shkencëtar në Shërbimin Gjeologjik të Danimarkës dhe Groenlandës.

Ndërsa autorët nuk specifikuan një afat kohor, ata parashikojnë se ndryshimi në nivelet e detit mund të ndodhë nga tani deri në fund të shekullit. Masat e akullit mund të shkrihen me shpejtësi kur temperatura e ajrit është e ngrohtë, por uji më i ngrohtë i oqeanit po gërryen akujt rreth skajeve.

Gjetjet vijnë pas një raporti të rritjes së nivelit të detit në vitin 2022 të publikuar në fillim të këtij viti nga Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës, e cila zbuloi se brigjet e SHBA mund të presin 2.5 cm rritje të nivelit të detit në 30 vitet e ardhshme. Kjo do të bëjë që përmbytjet e baticës të ndodhin më shumë se 10 herë më shpesh dhe do të lejojë që stuhitë të përhapen më tej në brendësi të vendit, sipas raportit.

Groenlanda mban mjaft akull saqë nëse i gjithë shkrihet, mund të ngrejë nivelet e detit me rreth 25 metra në mbarë botën. Studiuesit theksojnë se një rritje e nivelit të detit prej 20 këmbësh nuk do të thotë se do të rritet në mënyrë të barabartë në të gjithë globin, duke lënë disa vende të shkatërruara ndërsa niveli i detit bie në të tjera.

Ndërsa vende të tilla si Groenlanda humbasin akullin, ato gjithashtu humbasin tërheqjen gravitacionale të akullit në ujë, që do të thotë se niveli i detit të Groenlandës po bie ndërsa niveli rritet diku tjetër, tha William Colgan, studiues i lartë në Shërbimin Gjeologjik të Danimarkës dhe Groenlandës. Shkalla e këtij ndryshimi është problemi, shtoi ai.

“Do të jetë vërtet e vështirë të përshtatesh me ndryshimin kaq shpejt,” tha Colgan.

Para se të fillonin ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, temperaturat afër 32 gradë Fahrenheit në Grpenlandë ishin të padëgjuara. Por që nga vitet 1980, rajoni është ngrohur me rreth 1.5 gradë në dekadë, katër herë më shpejt se ritmi global, duke e bërë më të mundshme që temperaturat të kalojnë pragun e shkrirjes. Disa ditë moti jashtëzakonisht të ngrohtë në Groenlandën veriore shkaktuan kohët e fundit shkrirjen e shpejtë.

Sasia e akullit që u shkri në Groenlandë vetëm midis 15 dhe 17 korrikut, 6 miliardë ton ujë në ditë, do të mjaftonte për të mbushur 7.2 milionë pishina me përmasa olimpike, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e të Dhënave të Dëborës dhe Akullit të SHBA-së.

Shkencëtarët globalë kanë thënë se tendencat në të cilat ndryshimet klimatike po përshpejtohen janë mjaft të qarta dhe se nëse emetimet nuk frenohen menjëherë, shumë ngjarje më ekstreme të shkrirjes do të vazhdojnë të ndodhin më intensivisht dhe më shpesh./ CNN.gr

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme