Kërcënimet ndaj centralit bërthamor, Ukraina dhe Rusia akuza të ashpra ndaj njëra- tjetrës

Botë | 4 vite më parë

Shqetësimet, në lidhje me mundësinë e një rrjedhje rrezatimi në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë vazhduan, pasi autoritetet ukrainase thanë se forcat ruse qëlluan në zonat buzë lumit. Rusia pretendoi se granatimet ukrainase goditën një ndërtesë ku ruhet karburanti bërthamor.

Autoritetet po shpërndajnë tableta jodi për banorët që jetojnë pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia, në rast ekspozimi ndaj rrezatimit.  Pjesa më e madhe e shqetësimeve përqendrohet në sistemet e ftohjes për reaktorët bërthamorë të centralit. Sistemet kërkojnë energji për të funksionuar.

Centrali u shkëput përkohësisht të enjten për shkak të asaj që zyrtarët thanë se ishte dëmtim nga zjarri në një linjë transmetimi.  Një dështim i sistemit të ftohjes mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore. Forcat ruse pushtuan kompleksin e centralit bërthamor në fillim të luftës 6-mujore në Ukrainë. Punëtorët ukrainas e kanë mbajtur atë në punë.

Qeveria e Ukrainës dhe ajo ruse kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur tjetrën për bombardimin e kompleksit dhe zonave përreth, duke rritur frikën për një katastrofë të mundshme. Granatimet periodike kanë dëmtuar infrastrukturën e termocentralit, tha të shtunën operatori i energjisë bërthamore të Ukrainës, Energoatom.  “Ka rreziqe të rrjedhjes së hidrogjenit dhe spërkatjes ne substanca radioaktive. Rreziku nga zjarri është i lartë,” tha ai.

Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovsk të Ukrainës, Valentyn Reznichenko, tha të shtunën se raketat Grad dhe predha artilerie goditën qytetet e Nikopol dhe Marhanets, të cilat ndodhen rreth 10 kilometra nga uzina. Por zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se ishin forcat ukrainase që kishin qëlluar në uzinë.

“Gjatë ditës së kaluar, 17 predha ukrainase goditën fabrikën, katër goditën çatinë, si dhe një ndërtese që ruan karburantin bërthamor”,- tha ai. Agjencia e energjisë atomike e OKB-së është përpjekur të arrijë një marrëveshje për të dërguar një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në sigurimin e centralit.

Zyrtarët thanë se përgatitjet për vizitën ishin duke u zhvilluar, por mbetet e paqartë se kur mund të ndodhte. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ishte thelbësore që përfaqësuesit e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të arrinin në termocentral sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndihmonin për ta mbajtur atë “nën kontrollin e përhershëm të Ukrainës”. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme