Thatësira po kërcënon Europën, më e keqja në 500 vjet

Botë | 4 vite më parë

Dy të tretat e Evropës janë nën një lloj paralajmërimi për thatësirën, në atë që ka të ngjarë të jetë ngjarja e tillë më e keqe në 500 vjet. Raporti i fundit nga Observatori Global i Thatësirës thotë se 47% e kontinentit është në kushte “paralajmëruese”, që do të thotë se toka është tharë.

Raporti paralajmëron se periudha e thatë do të godasë rendimentet e të korrave, do të ndezë zjarre dhe mund të zgjasë disa muaj më shumë në disa nga rajonet jugore të Evropës.

Krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur me 16% për misrin e grurin, 15% për sojën dhe 12% për luledielli.

Komisioni Europian paralajmëroi se të dhënat paraprake sugjerojnë se “thatësira aktuale duket të jetë më e keqja që prej të paktën 500 vjetësh”.

Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe mungesa e ujit kanë “krijuar një stres të paprecedentë në nivelet e ujit në të gjithë BE”, tha Komisionerja e Kërkimeve, Mariya Gabriel.

“Aktualisht po vërejmë një sezon zjarresh në mënyrë të ndjeshme mbi mesataren dhe një ndikim të rëndësishëm në prodhimin e të korrave. Ndryshimet klimatike padyshim janë më të dukshme çdo vit,” shtoi ajo.

Raporti paralajmëroi se pothuajse të gjithë lumenjtë e Evropës janë tharë deri në një farë mase. Lumenjtë e thatë po godasin edhe sektorin e energjisë, i cili tashmë është në krizë . Sipas raportit, energjia hidroelektrike ka rënë me 20%.

Kushtet ka të ngjarë të zgjasin të paktën deri në nëntor të këtij viti përgjatë Mesdheut Evropian.

Raporti paralajmëron se situata po përkeqësohet në vende si Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Hungaria, Serbia veriore, Ukraina, Moldavia, Irlanda dhe Britania e Madhe.

Paralajmërimi i ashpër i studiuesve pason nivelet e lumenjve që po bien me shpejtësi në të gjithë Evropën, të cilat kanë ekspozuar relike të së kaluarës, duke përfshirë të ashtuquajturat “gurë urie” që paralajmërojnë urinë e mundshme dhe mbetjet e fundosura të anijeve naziste të Luftës së Dytë Botërore./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme