Meloni, kandidatja për kryeministre e Italisë, trondit vendin me një video të dyshuar si përdhunim

Botë | 4 vite më parë

Kandidatja e ekstremit të djathtë, e cila aspiron të jetë kryeministrja e parë femër e Italisë, u kritikua sot nga kundërshtarët, për postimin e një videoje, që pretendon se tregon një grua që përdhunohet nga një azilkërkues. Giorgia Meloni, liderja e partisë Vëllezërit e Italisë, që ka rrënjë neofashiste, të dielën në mbrëmje ripostoi një video në Twitter nga një faqe italiane e lajmeve, që ishte filmuar nga një dëshmitar.  

Gruaja në video është identifikuar si ukrainase. Një 27-vjeçar, azilkërkues nga Guinea, është arrestuar për ngacmimin seksual, sipas mediave italiane. “Nuk mund të qëndrosh i heshtur përballë këtij episodi mizor të dhunës seksuale në mes të ditës në Piacenza nga një azilkërkues”, shkroi Meloni.

“Një përqafim për këtë grua. Do të bëj gjithçka që është e mundur për të rivendosur sigurinë në qytetet tona”. Kundërshtari i saj kryesor në votimin e 25 shtatorit, kreu i Partisë Demokratike, Enrico Letta, u kundërpërgjigj në një intervistë radiofonike se ripostimi i videos shkonte përtej “kufive të dinjitetit dhe mirësjelljes”. 

Një ish-ministre e Arsimit, Lucia Azzolina, tha se postimi i videos së përdhunimit “nuk është një kallëzim penal zyrtar, por instrumentalizim i dhunës”. “Të shohësh një grua, kandidate për të drejtuar vendin, duke përdorur këto metoda është rrëqethëse”, tha Azzolina. Dhe Carlo Calenda, lideri i një partie të vogël të re centriste të quajtur Veprimi, tha se “Meloni ka bërë diçka që nuk ëeshtë e denjë për një vend të qytetëruar, është edhe kundër grave”. 

Deklaratat e Melonit për sigurinë në qytetet italiane është një temë e krahut të djathtë në këtë fushatë zgjedhore, e cila godet edhe emigracionin.  Ajo u mbështet nga partneri i koalicionit Matteo Salvini, kreu i partisë së krahut të djathtë të Ligës dhe ish-ministër i Brendshëm, i cili u zotua se “mbrojtja e kufijve tanë dhe italianëve do të jetë një detyrë për mua, jo një e drejtë”.

Në një video-përgjigje ndaj kritikave të Letës, Meloni theksoi se askush nuk mund të identifikohet në video dhe se lideri i qendrës së majtë kishte dështuar të dënonte vetë sulmin. “Pse nuk flisni për këtë? Sepse në të kundërt duhet të pajtoheni me faktin se siguria në qytetet tona është jashtë kontrollit, falë edhe politikave surreale të emigracionit që keni ndjekur”, tha Meloni. 

Sondazhet tregojnë se Vëllezërit e Italisë kanë një epërsi të mundshme ndaj Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve parlamentare, por asnjëri subjekt politik, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur vetëm. Meloni mund të presë një nxitje të konsiderueshme nga partnerët e saj të koalicionit – Liga dhe partia e qendrës së djathtë e Silvio Berlusconit, Forza Italia, ndërsa Letta është në koalicion me parti shumë më të vogla. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme