Publikimi i videove duke festuar, kryeministrja e Finlandës bën testin e drogës

Botë | 4 vite më parë

Kryeministrja e Finlandës ka deklaruar se ka bërë një test droge, pasi u shfaqën pamjet e reja që e tregonin atë duke kërcyer me një këngëtar finlandez. Në një konferencë shtypi të premten, Sanna Marin tha se kishte bërë testin dhe pret rezultatet javën e ardhshme. Kryeministrja përsëriti se ajo nuk ka marrë ndonjëherë drogë.

“Unë nuk kam bërë asgjë të paligjshme. Edhe në vitet e adoleshencës nuk kam përdorur asnjë lloj droge“, u tha ajo gazetarëve në Helsinki.

Kryeministrja insistoi gjithashtu se asaj i takon prezumimi i pafajësisë.

“Unë besoj se njerëzit e kuptojnë se koha e lirë dhe koha e punës mund të ndahen,” shtoi ajo. Vetëm javën e kaluar, zonja Marin u quajt “kryeministrja më e lezetshme në botë” nga gazeta gjermane Bild.

Janë shfaqur dy video të veçanta ku shihet liderja finlandez duke bërë festua.

Videoja e parë, e cila u shfaq të enjten, shkaktoi reagimin fillestar kundër Marin.

Në pamjet, që mendohet se janë marrë nga rrjetet sociale, ajo dhe të famshëm finlandezë shihen duke kërcyer dhe kënduar në një apartament privat.

Udhëheqësja finlandeze mbajti një konferencë për shtyp në përgjigje të videos së dytë që u shfaq të premten, ku ajo shihet duke kërcyer nga afër me një yll finlandez, Olavi Uusivirta.

Një gazetar pretendoi se ylli i popit e puthi Marin në qafë, ndërsa kryeministrja mohoi të ishte puthur në qafë.

“Unë nuk mendoj se më kanë puthur në qafë. Diçka më është thënë. Kam përqafuar miqtë dhe jam puthur në faqe. Nëse dikush më ka puthur në faqe, nuk ka asgjë të papërshtatshme ose diçka që nuk mund ta përballoj t’i tregoj burrit tim“, tha Marin.

Pamjet kanë ndezur një debat të ashpër në Finlandë për mënyrën se si politikanët e trajtojnë veten dhe sasinë e privatësisë që u ofrohet atyre./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme