Lufta në Ukrainë, Europa në frikën e një aksidenti bërthamor në Zaporizhia

Botë | 4 vite më parë

Rreziku i një aksidenti bërthamor “varet” mbi kontinentin evropian si një efekt goditës i luftës së vazhdueshme në Ukrainë. Kievi ka paralajmëruar se po përgatitet për “të gjithë skenarët”, duke e përshkruar situatën në termocentralin bërthamor të Zaporizhia si ” kritike”, teksa Moska flet për provokime.

Kohët e fundit, sulmet janë shtuar në Zaporizhia, ku ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, teksa Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet. Ukraina thotë se situata në uzinë “po i afrohet një pike kritike” .

Në këtë kontekst, ukrainasit morën pjesë në një stërvitje kundër katastrofave mes frikës për një fatkeqësi të ngjashme me Çernobilin.

Ushtrimet përfshinin evakuimin e të plagosurve, kryerjen e skanimeve me rrezatim dhe larjen e automjeteve të kontaminuara.

“Askush nuk mund të kishte parashikuar që trupat ruse do të qëllonin reaktorët bërthamorë me tanke. Është e pabesueshme”, tha Denis Monastirski, Ministri i Brendshëm ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili sot ndodhet në Ukrainë dhe do të ketë një takim në qytetin e Lviv me presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij të fortë për situatën në Zaporizhia.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Kievin për planifikimin e një “provokimi” në centralin bërthamor gjatë vizitës së Guterres në vend.

Në deklaratën e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ushtria ruse nuk ka vendosur “armë të rënda” brenda ose rreth centralit bërthamor, i cili ndodhet në jug të Ukrainës dhe është nën kontrollin e Moskës.

“Theksojmë se ushtria ruse nuk ka armë të rënda brenda centralit bërthamor dhe në zonat përreth. Aty janë vetëm njësitë që garantojnë sigurinë. Forcat e armatosura ruse po marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e termocentralit bërthamor të Zaporizhia”, shtoi Ministria ruse e Mbrojtjes në deklaratën e saj./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme