Zyrtari i Lartë i Organizatës Trump, pranon fajësinë për evazion fiskal

Botë | 4 vite më parë

Një ekzekutiv i lartë në biznesin familjar të ish-presidentit Donald Trump, u deklarua sot fajtor për shmangie të taksave. Ai arriti një marrëveshje me prokurorët, gjë që mund ta bëjë atë një dëshmitar kyç kundër kompanisë.  CFO i Organizatës Trump, Allen Weisselberg, u deklarua fajtor për të 15 akuzat me të cilat u përball në këtë rast. 

Me zë të ulët, disi të ngjirur, ai pranoi se kishte marrë përfitime të pataksuara me vlerë mbi 1.7 milionë dollarë, duke përfshirë shkollimin për nipërit e mbesat e tij, qiranë falas për një apartament në Manhattan, si dhe pagesat e qirasë për një makinë luksoze.

Gjykatësi Juan Manuel Merchan ra dakord të dënojë Weisselberg me pesë muaj në kompleksin e burgut Rikers Island të Nju Jorkut, megjithëse ai do të lirohet shumë më herët nëse pas hekurave do të sillet mirë. Gjykatësi tha se Weisselberg do të duhet të paguajë afro 2 milionë dollarë taksa, gjoba dhe interesa, si dhe do të jetë pesë vjet në provë.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë kërkon gjithashtu që Weisselberg të dëshmojë si dëshmitar prokurorie, kur Organizata Trump të dalë në gjyq në tetor për akuza të ngjashme.  Kompania akuzohet se ka ndihmuar Weisselberg dhe drejtues të tjerë të shmangin taksat mbi të ardhurat, duke dështuar të raportojnë kompensimin e tyre të plotë me saktësi në qeveri. Vetë Trump nuk është i akuzuar në këtë rast.

 Weisselberg nuk tha asgjë ndërsa u largua nga gjykata, duke mos dhënë asnjë përgjigje kur një gazetar e pyeti nëse ai kishte ndonjë mesazh për Trump. Avokati i Weisselberg, Nicholas Gravante Jr. tha se klienti i tij u deklarua fajtor “për t’i dhënë fund këtij rasti dhe maktheve ligjore dhe personale”.  Dëshmia nga Weisselberg mund të dobësojë potencialisht mbrojtjen e Organizatës Trump. Nëse dënohet, kompania mund të përballet me gjoba ose potencialisht të vendoset në provë dhe të detyrohet të ndryshojë disa praktika biznesi. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme