Putin akuza SHBA: Po destabilizoni botën

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot SHBA-në për zgjatjen e konfliktit në Ukrainë dhe se po bën përpjekje për të “destabilizuar” botën me vizitën e fundit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan.

“Situata në Ukrainë tregon se SHBA po përpiqet të zgjasë konfliktin. Dhe ata po veprojnë në të njëjtën mënyrë duke kultivuar mundësinë e një konflikti në Azi, Afrikë, Amerikën Latine”, tha Putin duke iu drejtuar Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

“Aventura amerikane me Tajvanin nuk është thjesht një udhëtim i një politikani të papërgjegjshëm, por pjesë e një strategjie të qëllimshme dhe të vetëdijshme që synon destabilizimin dhe shkaktimin e një situate kaotike në rajon dhe në botë. Ky është një demonstrim i pacipë i mungesës së respektit të tyre për sovranitetin e vendeve të tjera dhe për angazhimet e tyre ndërkombëtare”, shtoi Putin.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë , e cila ka nisur një sulm kundër Ukrainës dhe ka denoncuar vazhdimisht dërgesat e armëve amerikane në Kiev, po kalojnë një periudhë tensioni të madh.

Rusia po përpiqet të forcojë marrëdhëniet e saj me Azinë dhe Afrikën, dhe veçanërisht Kinën.

Moska e ka përshkruar tashmë vizitën e Pelosit në fillim të gushtit në Tajvan, e cila zemëroi Kinën, si një “provokim” dhe ka vlerësuar se Pekini ka të drejtë të marrë “masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e tij”./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme