Akuzohet për spiunazh në favor të Rusisë, nis gjyqi ndaj oficerit në rezervë të ushtrisë gjermane

Botë | 4 vite më parë

Një oficer në rezervë i ushtrisë gjermane është në gjyq, me dyshimet se ka vepruar si spiun i Rusisë për gjashtë vjet. Shtetasi, 65 vjeç, i quajtur vetëm Ralph G, akuzohet se ka ndarë informacione me inteligjencën ruse nga viti 2014 deri në vitin 2020. Prokurorët thanë se ai ndau detaje rreth të dhënave ushtarake gjermane dhe personale të zyrtarëve të rangut të lartë.

Ralph G nuk bëri një deklaratë të enjten dhe tha se do ta bënte një të tillë në seancën e ardhshme më 1 shtator, sipas një zëdhënësi të gjykatës. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 10 vjet burg. Mediat gjermane raportojnë se Ralph G ishte nënkolonel në ushtri. Në karrierën e tij civile, ai punoi si menaxher shitjesh për një kompani inxhinierike ndërkombëtare dhe ishte pjesë e disa komiteteve civile të biznesit.

Ai dyshohet se i ka kaluar informacione të ndjeshme si nga burime ushtarake ashtu edhe nga ato civile dy punonjësve të inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU, të cilët punonin si atashe ushtarakë në ambasadën ruse në Berlin. Informacioni dyshohet se u transmetua përmes takimeve të rralla, së bashku me telefonatat, emailet dhe mesazhet WhatsApp.

Pjesa më e madhe e tij është nxjerrë nga burime të disponueshme publikisht, por Ralph G akuzohet gjithashtu për ndarjen e pjesëve të një dokumenti zyrtar të qeverisë për marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë pas aneksimit të Krimesë në 2014. Ai gjithashtu besohet se ka transmetuar informacione rreth ndikimit të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Gjermania mbi Krimenë.

Prokurorët thanë se ai ndau detaje në lidhje me sistemet e armëve, aftësitë kibernetike të ushtrisë gjermane dhe projektin e gazsjellësit Nord Stream 2. Pas arrestimit të tij në 2020, Ralph G pranoi se u kishte dhënë informacion burrave rusë, por pretendon se nuk e dinte se kontaktet e tij punonin për GRU. Ai nuk besohet të jetë paguar për informacionin, përkundrazi ka marrë “ftesa për ngjarje të organizuara nga agjencitë qeveritare ruse”. Gjyqi në Gjykatën e Lartë Rajonale të Dyseldorfit pritet të vazhdojë për disa muaj. BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme