Shpërthime të fuqishme trondisin bazën ajrore ushtarake ruse në Krime

Botë | 4 vite më parë

Shpërthime të fuqishme tronditën një bazë ajrore ruse në Krime të martën. Të paktën pesë persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën, thanë autoritetet. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se municionet shpërthyen në bazën Saki dhe theksoi se instalimi nuk ishte granatuar.  Por rrjetet sociale ukrainase ishin të mbushura me spekulime se ajo ishte goditur nga raketa me rreze të gjatë veprimi të lëshuar nga Ukraina. Por ende nuk ka komente nga autoritetet ukrainase.

Videot e postuara në rrjetet sociale treguan re të mëdha tymi.  Nëse baza ishte, në fakt, e goditur nga ukrainasit, ajo do të shënonte sulmin e parë të madh të njohur në një lokacion ushtarak rus në Gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Kremlini në 2014. Selia e Flotës ruse të Detit të Zi në Krime, porti i Sevastopolit, u godit nga një shpërthim në shkallë të vogël nga një dron i improvizuar muajin e kaluar, për të cilin fajësuan ukrainasit.

Kreu i Krimesë Sergei Aksyonov, tha se ambulancat dhe helikopterët mjekësorë u dërguan në bazën ajrore Saki dhe zona u mbyll brenda një rrezeje prej pesë kilometrash (tre milje). Pesë persona u plagosën dhe njëri prej tyre u shtrua në spital, tha Konstantin Skorupsky, kreu i departamentit të kujdesit shëndetësor të Krimesë. Ai tha se të tjerët u trajtuan për prerje nga copa xhami dhe u liruan. APNEWS

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme