Deputeti ukrainas depoziton në Parlament draft-rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Botë | 4 vite më parë

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka dorëzuar në Parlament një draft-rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina. Goncharenko bën me dije me anë të një postimi në rrjetin social Facebook se shpreson se Ukraina të njohë sovranitetin shtetëror të Kosovës. Sipas tij, është koha që Kosova ka të gëzojë të drejtën e pavarësisë.

“Ukraina duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Dorëzova një projekt-rezolutë përkatëse në Verkhovna Rada. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar. Jo më kot, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së, për të cilat ne përpiqemi, e kanë njohur tashmë Kosovën. Po ashtu Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe. Prandaj, një hap konsistent i Ukrainës tani do të jetë njohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe shprehja e mbështetjes ndërkombëtare. Refuzoni menjëherë një lloj tjetër manipulimi – situata midis Ukrainës dhe psedovrepublikami “LDNR” nuk është e njëjta situatë si në Kosovë dhe Serbi. Ky është momenti kur Kosova realisht ka të drejtën e pavarësisë. Shpresoj që kolegët në Këshill të mbështesin dhe rezoluta të shqyrtohet sa më shpejt që të jetë e mundur. P.S. Mirë, serbë, si jeni? Ju përshëndes nga Kievi”, shkruan deputeti ukrainas.

Po ashtu, një reagim ka patur dhe ish-kryediplomati i Kosovës Petrit Selimi, i cili me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, teksa vlerëson iniciativën e deputetëve ukrainas, thekson se tashmë Ukraina e di se cilët janë miqtë e vërtetë, duke ju referuar pushtimit rus dhe vendeve që kanë mbështetur Vladimir Putin, duke refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj tij, një prej të cilëve dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Iniciativë e rëndësishme nga deputetët ukrainas, duke bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Prej vitesh, Ukraina ka refuzuar të njohë Kosovën, duke ruajtur lidhje miqësore me Serbinë. Pas pushtimit gjenocidal rus, Ukraina e di se cilët janë miqtë e vërtetë. Sigurisht që jo apologjetët e Putinit”, shkruan Selimi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme