Dakordësohen palët/ Turqia do të paguajë me rubla furnizimin me gaz nga Rusia

Turqia do të paguajë me monedhën rubla Rusinë për furnizim të pjesshëm me gaz.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kanë rënë dakord që Turqia t’i paguajë Rusisë në rubla për furnizimet e pjesshme të gazit, raporton CNN.
“Në procesin e negociatave, presidentët ranë dakord që do të fillonin pagesën në rubla për furnizimet e pjesshme të gazit. Po flasim për kalimin në monedhat kombëtare dhe në fazën e parë, një pjesë e furnizimeve do të paguhen në rubla ruse. Dhe kjo është me të vërtetë një fazë e re, mundësi të reja, duke përfshirë zhvillimin e marrëdhënieve tona monetare dhe financiare”, tha zëvendëskryeministri rus Alexander Novak pas takimit.
Novak tha gjithashtu se të dy presidentët arritën marrëveshje për krijimin e bllokut bankar financiar “për të mundësuar kompanitë tregtare, qytetarët rusë, të paguajnë gjatë udhëtimeve turistike dhe të shkëmbejnë para“.
Putin dhe Erdogan ranë dakord për të mbajtur takimin e radhës të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Ruso-Turk në Turqi.
Bisedimet dypalëshe, të mbajtura në Soçi, zgjatën mbi katër orë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




