Britania paketë të re sanksionesh kundër Moskës, Londra synon zyrtarët rusë

Botë | 4 vite më parë

Një paketë e re sanksionesh, këtë herë ndaj zyrtarëve të emëruar nga Kremlini në provincat Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës lindore, si dhe 29 guvernatorë rajonalë anembanë Rusisë, njoftoi Britania të martën.

42 shtesat e reja në sanksionet britanike përfshijnë gjithashtu ministrin dhe zëvendësministrin rus të drejtësisë, si dhe dy nipërit e miliarderit rus Alisher Usmanov, i cili gjithashtu u sanksionua nga Londra në mars.

“Ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione të ashpra ndaj atyre që kërkojnë të legjitimojnë pushtimin e paligjshëm të Putinit derisa të mbizotërojë Ukraina”, tha në një deklaratë Sekretarja e Jashtme Liz Truss, e konsideruar si favoritja për të pasuar Boris Johnson si kryeministër. Vitaly Khochenko dhe Vladislav Kuznetsov, të emëruar nga Rusia në postet e kryeministrit dhe zëvendëspresidentit të parë në të ashtuquajturat Republika Popullore të Donetsk dhe Luhansk, tani janë subjekt i kufizimeve të udhëtimit ndërsa asetet e tyre janë ‘ngrirë'”, tha Ministria Britanike e Punëve të Jashtme.

“Khochenko dhe Kuznetsov u dërguan për të zbatuar politikat e Rusisë në të gjithë rajonin e pushtuar, duke mbështetur planet e Putinit për të aneksuar ilegalisht pjesën më të madhe të Ukrainës dhe për të përdorur referendume të rreme dhe për të legjitimuar në mënyrë të rreme pushtimin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Guvernatorët rajonalë rusë u sanksionuan për lehtësimin e pushtimit rus dhe përpjekjen për të hequr territorin nga Ukraina duke shpërndarë fonde në Donetsk dhe Luhansk, sipas Ministrisë së Jashtme Britanike.

Britania deri më tani ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 1,100 individëve dhe më shumë se 100 subjekteve në Rusi, duke synuar ndër të tjera biznesmenë dhe kompani të njohura, si dhe politikanë të shquar./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme