Propozimi i KE për uljen me 15% të konsumit të gazit natyror, Greqia, Portugalia dhe Spanja i thonë “Jo”

Greqia, Portugalia dhe Spanja kanë shprehur mosdakordësinë e tyre me propozimin e Komisionit Europian për uljen me 15% të konsumit të gazit natyror. Përfaqësuesi i qeverisë në Greqi, Janis Oikonomou u shpreh këtë të enjte se Athina nuk ishte dakord me propozimin, duke iu referuar masave të propozuara nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis si zgjidhje më konkrete.
Qeveria spanjolle shprehu gjithashtu mospajtimin e saj të fortë me propozimin e Komisionit të mërkurën, duke e quajtur atë të padrejtë dhe joefektiv.
Edhe qeveria portugeze shprehu menjëherë kundërshtimin e saj .
“Portugalia do ta kundërshtojë këtë masë disproporcionale. Propozimi i Komisionit nuk është përshtatur për vendet që nuk janë të ndërlidhura, me rrjetin e gazit si Portugalia“, tha João Galamba, zëvendësministër i mjedisit dhe energjisë.
Komisioni Evropian kërkoi dje nga vendet anëtare që të reduktojnë vullnetarisht kërkesën e tyre për gaz gjatë tetë muajve të ardhshëm, duke njoftuar një paketë masash që synojnë të lejojnë BE-në të përballet me një ndërprerje të mundshme të furnizimit me gaz nga Rusia.
Ky plan, i cili pritet të diskutohet më 26 korrik në Këshillin Evropian, parashikon që çdo vend të bëjë “çfarëdo që mundet” për të reduktuar me të paktën 15% nga gushti 2022 deri në mars 2023 konsumin e gazit në lidhje me mesataren e pesë viteve të fundit.
Në rast të një rreziku të konsiderueshëm të mungesës së rëndë ose kërkesës anormalisht të lartë dhe nëse përpjekjet vullnetare nuk janë të mjaftueshme, një mekanizëm alarmi mund të aktivizohet, pas konsultimit me shtetet, për të vendosur objektiva të detyrueshme./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




