Vala e të nxehtit, Mesdheu “pushtohet” nga zjarret, mijëra të evakuuar

Botë | 4 vite më parë

Franca ka evakuuar më shumë se 16,000 njerëz të kërcënuar nga zjarret në jugperëndim, ndërsa flakët po përpijnë sipërfaqe të tëra toke edhe në Spanjë, Kroaci dhe Greqi.

Autoritetet në Gironde të Francës, një rajon i njohur turistik, kanë evakuuar rojet nga kampingjet, teksa turistët po ashtu janë larguar. Zjarret janë përhapur në zonat Teste-de-Buch dhe Landiras.

Në Spanjën jugore, më shumë se 3,200 njerëz u larguan nga zjarret në kodrat Mijas. Zjarret në Portugali janë vënë nën kontroll për momentin.

Më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar të nxehtit ekstrem në Portugali dhe Spanjë ditët e fundit.

Zjarret e Mijas në Spanjë janë jo shumë larg nga Málaga, një zonë e njohur turistike. Në të gjithë Mesdheun, nga Maroku në perëndim deri në Kretë në lindje, mijëra zjarrfikës dhe shumë avionë zjarrfikës janë të përfshirë në aksionin për shuarjen e flakëve. Që nga e marta e javës së kaluar, i gjithë rajoni është “pushtuar” nga një valë ekstreme e të nxehtit.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzimi. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.

Shërbimi francez i motit ka parashikuar temperatura deri në 41C në jug të vendit. Në Portugali, temperaturat arritën deri në 47C.

Në Mbretërinë e Bashkuar ka një paralajmërim të kuq për nxehtësi ekstreme në të gjithë pjesët e Anglisë, pasi vendi po përgatitet për temperatura rekord të hënën dhe të martën, do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius në disa pjesë./ BBC


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme