Presidenti Zelensky, viziton për herë të parë pas sulmit rus, qytetet në jug të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi sot qytetin e dëmtuar nga lufta Mykolaiv, në atë që është vizita e tij e parë në jug të vendit që nga fillimi i pushtimit rus.
Ky qytet- port me gati gjysmë milioni banorë përpara luftës, është ende nën kontrollin e Ukrainës, por ndodhet shumë afër rajonit Kherson të pushtuar nga Rusia. Ai vijon të mbetet një objektiv i Moskës, sepse është përgjatë rrugës për në Odessa, që është porti më i madh në Ukrainë.
Kreu i ekipit negociator me Rusinë për luftën, David Arahamiya, tha se Ukraina mund të rifillojë bisedimet me rusët “në fund të gushtit”, të pezulluara de facto pas bisedimeve në Stamboll më 29 mars, pas një serie kundër-ofensivash, në disa vende.
“Fundi i gushtit, për rifillimin e bisedimeve. Ne nuk duam t’i ndajmë planet tona me rusët, por mendoj se do të kryejmë një kundërofensivë në disa vende”, u përgjigj kryenegociatori për Zërin e Amerikës.
Ndërkohë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, në një intervistë për Sky News Arabia është shprehur se kufijtë e Ukrainës do të ndryshojnë pas kësaj lufte.
“Ukraina që ne e dinim, brenda atyre kufijve, nuk ekziston më. Dhe nuk do të jetë më. Kjo është e qartë. Ata kufij nuk janë më”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




