Macron, Scholz dhe Draghi në Kiev: Mbështesim kandidaturën e Ukrainës për t’u bashkuar me BE

Udhëheqësit e tre ekonomive më të mëdha të Bashkimit Evropian thanë këtë të enjte se mbështesin kandidaturën e Ukrainës për t’u bashkuar me BE. Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri italian Mario Draghi, të cilët ndodhen në Ukrainë, u zotuan për mbështetjen.
Kancelari Scholz tha se Ukraina dhe Moldavia i përkisnin familjes evropiane, por do të duhej të plotësonin ende kriteret për anëtarësim. Scholz premtoi gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kievin financiarisht dhe ushtarakisht për aq kohë sa i nevojitet.
“Ne duan të tregojnë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe qytetarët e Ukrainës. Por ne nuk duam vetëm të demonstrojmë solidaritet, ne duam gjithashtu të sigurojmë se ndihma që organizojmë, financiare dhe humanitare, por edhe kur bëhet fjalë për armët, do të vazhdojë”, tha ai.
Mes liderëve të BE-së, Draghi ka qenë një mbështetës veçanërisht i zëshëm i ambicieve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian
“Ne jemi në një pikë kthese në historinë tonë. Çdo ditë populli ukrainas po mbron vlerat e demokracisë dhe lirisë që janë shtyllat e projektit europian, të projektit tonë. Unë mbështes Ukrainën që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe këtë e kam bërë që në fillim”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se Ukraina mund të llogarisë aleatët e saj për mbështetje, teksa theksoi po ashtu se nevojitej një lloj kanali komunikimi me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Kur, siç shpresoj, Ukraina do të ketë fituar, dhe mbi të gjitha kur të pushojnë të shtënat, ne duhet të negociojmë. Presidenti ukrainas dhe udhëheqësit e tij do të duhet të negociojnë me Rusinë. Mendoj se jemi në një moment ku duhet të dërgojmë sinjale të qarta politike, ne evropianët, ne si Bashkimi Evropian, në lidhje me Ukrainën dhe popullin ukrainas, duke pasur parasysh kontekstin që ata kanë rezistuar heroikisht për disa muaj”, tha Macron.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pushtimi i Rusisë ishte një sulm ndaj gjithë Evropës dhesë vetëm veprimi i bashkuar mund ta ndalonte atë. Ai tha gjithashtu se vizita e liderëve tregoi se Ukraina nuk ishte e vetme në luftën e saj./ Washingtonpost
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




