Amber Heard në intervistën e parë pas gjyqit me Johnny Depp: Unë e dua atë

Aktorja Amber Heard, duke folur në një intervistë, e para që pas gjyqit të bujshëm me ish-bashkëshortin Johnny Depp, ka thënë se e do ende atë.
“Unë e dua atë. E kam dashur me gjithë zemër. U përpoqa të bëja më të mirën që munda për ta bërë një marrëdhënie të shkatërruar që të funksiononte, por nuk munda. Nuk kam aspak ndjenja të këqija apo keqdashje ndaj tij. E di që mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar ose mund të jetë vërtet e lehtë për t’u kuptuar nëse thjesht keni dashur ndonjëherë dikë“, tha ajo.
Heard është shprehur se ajo besonte se “shumica dërrmuese e këtij gjyqi u luajt në mediat sociale” dhe se ka reflektuar më shumë mbi perceptimin e publikut për të.
“Unë nuk jam viktimë e mirë, e kuptoj. Unë nuk jam një viktimë e pëlqyeshme, nuk jam një viktimë e përsosur. Por kur dëshmova, i kërkova jurisë të më shihte dhe të dëgjonte fjalët e mia. Unë e kisha marrë të mirëqenë që kisha të drejtë për të folur, por pas atij vendimi, kam frikë të flas pa marrë parasysh se çfarë po them apo si po e them”, ka deklaruar aktorja.
Depp e paditi Heard për 50 milionë dollarë, duke pretenduar se ajo shpifi ndaj atij në një shkrim në Washington Post të vitit 2018, ku e akuzonte aktorin për dhunë.
Ajo e kundërshtoi atë, duke e paditur për 100 milionë dollarë, por në fund gjykata i dha të drejtë Johnny Depp, duke e shpërblyer me 15 mln dollarë./ CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




