Zelensky: Gati për të biseduar me Putinin, por rusët të largohen nga Ukraina! S’pranojmë kompromise për pavarësinë tonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, edhe një herë është treguar i gatshëm për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me Presidentin rus, Vladimir Putin, por ka theksuar se nuk pranojnë ultimatume.
Në një intervistë të zhvilluar online për emisionin “Porta a Porta” në Itali, Zelensky tha se rusët duhet të largohen nga Ukraina dhe se ata duhet të përgjigjen për veprimet e ndërmarra.
“Jam gati të flas me Putinin, por nuk duhet të ketë ultimatum. Rusët, megjithatë, duhet të largohen nga territori ynë. Rusët duhet të përgjigjen për atë që kanë bërë. Ne nuk mund të pranojmë kompromise për pavarësinë tonë. Ukraina do paqe, gjëra shumë normale si respekti për sovranitetin, integritetin territorial, traditat e njerëzve, gjuhën. Mund të duken gjëra të parëndësishme, por të gjitha janë shkelur nga Rusia dhe duhet të rivendosen“, tha Zelensky.
Ai u ndal edhe te çështja e Krimesë, ku theksoi se Ukraina nuk do të pranojë kurrë që ajo të jetë pjesë e Federatës ruse.
“Krimea nuk do të jetë kurrë pjesë e federatës ruse. Unë kurrë nuk kam thënë se do ta njoh pavarësinë e Krimesë“, u shpreh Presidenti ukrainas./ La Republica
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




