Ukraina përgatitet për sulme të përshkallëzuara ruse

Botë | 4 vite më parë

Autoritetet ukrainase po përgatitën për një intensifikim të pritshëm të sulmeve ruse përpara festës së ‘Ditës së Fitores’ që shënohet më 9 maj, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët thanë se evakuimi i civilëve në një fabrike çeliku të rrethuar në Mariupol kishte përfunduar.

Megjithatë, fati i luftëtarëve të mbetur atje është i paqartë.

Zyrtarët ukrainas më 7 maj deklaruan se të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit ishin evakuuar nga fabrika masive e çelikut Azovstal që është sulmuar prej javësh nga forcat ruse mes rrënojave të qytetit port.

“Urdhri i Presidentit është zbatuar: Të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë evakuuar nga Azovstal”, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk në një deklaratë në mediat sociale.

“Kjo pjesë e misionit humanitar në Mariupol ka përfunduar,” shtoi ajo pa dhënë detaje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha më vonë se një “fazë e dytë” e evakuimit do të ndodhte tani, me të plagosurit dhe personelin mjekësor që do të nxirren nga aty.

Puna do të vazhdojë më 8 maj për të siguruar të gjitha korridoret humanitare në mënyrë që kush dëshiron të largohet të ketë të mundur rrugëdaljen.

Ai shtoi se Kievi po përpiqej të nxirrte luftëtarët e fundit nga uzina e çelikut, por se “ishte jashtëzakonisht e vështirë”.

Frika po rritet se një përballje përfundimtare, e përgjakshme midis luftëtarëve ukrainas dhe trupave ruse mund të ndizet nëse mbrojtësit nuk lejohen të evakuohen.

Evakuimi i fabrikës së çelikut Azovstal u intensifikua gjatë dy ditëve të fundit edhe pse Rusia ka vazhduar të godet objektin dhe këtë qytetit strategjik, i cili tani është kryesisht i rrënuar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme