OBSH dhe UNICEF: Rriten rastet me fruth gjatë 2022, mund të paralajmërojnë shpërthime të sëmundjeve të tjera

Botë | 5 vite më parë

OBSH dhe UNICEF kanë ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve me fruth gjatë muajve janar dhe shkurt të 2022.

Sipas OBSH dhe UNICEF gjatë këtyre dy muajve janë regjistruar 17.338 raste të fruthit krahasuar me 9.665 raste të shënuara në të njëjtën periudhë një vit më parë. OBSH dhe UNICEF janë të shqetësuara pasi shpërthimet e fruthit mund të paralajmërojnë shpërthime të sëmundjeve të tjera.

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF ka deklaruar se fruthi është një sëmundje e rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

 “Fruthi është më shumë se një sëmundje e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse. Është gjithashtu një tregues i hershëm se ka boshllëqe në mbulimin tonë global të imunizimit, boshllëqe që fëmijët e cenueshëm nuk mund t’i përballojnë. Është inkurajuese që njerëzit në shumë komunitete kanë filluar të ndihen mjaft të mbrojtur nga COVID-19 për t’u kthyer në më shumë aktivitete sociale. Por ta bësh këtë në vendet ku fëmijët nuk po marrin vaksinimin rutinë krijon stuhinë e përsosur për përhapjen e një sëmundjeje si fruthi”, tha Catherine Russell, Drejtoreshë Ekzekutive e UNICEF.

Përveç efektit të tij të drejtpërdrejtë në trup, i cili mund të jetë vdekjeprurës, virusi i fruthit dobëson gjithashtu sistemin imunitar dhe e bën një fëmijë më të prekshëm ndaj sëmundjeve të tjera infektive si, pneumonia dhe diarreja. Shumica e rasteve ndodhin në mjedise që janë përballur me vështirësi sociale dhe ekonomike për shkak të COVID-19, konfliktit ose krizave të tjera dhe kanë sistem imunitar të dobët, raporton World Health Organization.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme