BB: Ekonomia e Ukrainës gati se do të përgjysmohet

Ekonomia e Ukrainës parashikohet të përgjysmohet këtë vit, për shkak të pushtimit rus, i cili ka shkatërruar fabrika dhe ndërtesa të mëdha banimi, si dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga vendi, thuhet në një raport të Bankës Botërore.
Sipas raportit, prodhimi ekonomik i Ukrainës pritet të tkurret për 45 për qind, ndërsa shkalla përfundimtare e rënies ekonomike do të varet nga “kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës”.
“Pushtimi rus po i jep një goditje masive ekonomisë së Ukrainës dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë”, tha Anna Bjerde, nënkryetare e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Rusia ka shkatërruar Mariupolin, një port kyç të Ukrainës në Detin Azov, dhe ka dëmtuar rëndë qytetet e tjera të mëdha, duke përfshirë Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës për nga popullsia.
Rusia ka bombarduar gjithashtu aeroporte dhe linja hekurudhore, ndërsa shumë ura janë hedhur në erë.
Më shumë se 10 milionë ukrainas, ose gati një e katërta e popullsisë, besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre, përfshirë më shumë se 4 milionë që kanë kaluar kufijtë e Ukrainës. Në një raport më vete,
Banka Botërore tha se ekonomia e Rusisë pritet të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës./REL
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




