Sekretari Blinken: Në Bucha mizori të qëllimshme nga Rusia

Botë | 5 vite më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka akuzuar Moskën për zhvillimin e një “fushate të qëllimshme” të mizorive në qytetin ukrainas, Bucha. Këto deklarata vijnë disa ditë pas publikimit të të dhënave që sugjerojnë se dhjetëra civilë u vranë nga forcat ruse, të cilat e kishin pushtuar këtë zonë. Moska tërhoqi trupat nga Bucha në fillim të prillit.

“Çfarë kemi parë në Bucha nuk është një veprim i rëndomtë i ndonjë njësie ushtarake që ka vepruar krye në vete”, tha Blinken për gazetarët më 5 prill, teksa u nis drejt Brukselit, ku të mërkurën dhe të enjten do të takohen ministrat e Jashtëm të NATO-s.

“Kjo ishte një fushatë e qëllimshme për të vrarë, torturuar, dhunuar dhe për të kryer mizori. Raportimet janë të besueshme, të dhënat janë aty që bota t’i shohë”, shtoi ai.

Pasi trupat ruse u tërhoqën nga Bucha, që gjendet në veriperëndim të Kievit, zyrtarët ukrainas me të arritur gjetën dhjetëra trupa të civilëve të vrarë nëpër rrugët dhe shtëpitë e këtij qyteti.

Pamjet e tmerrshme të trupave të pajetë, ku disa prej tyre kishin të lidhur duart pas shpine, nxitën dënim ndërkombëtar të Rusisë, e cila mohon se forcat e saj kanë kryer vrasjet dhe i quan “të rreme” këto akuza.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme