Presidenti ukrainas e quan gjenocid sulmin e Rusisë

Botë | 5 vite më parë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti gjenocid sulmin e paprovokuar të Rusisë, që po vazhdon, ndërsa zyrtarët perëndimorë po dënojnë ato që ata i quajnë mizori të kryera nga forcat ruse në periferi të Kievit. Sekretari amerikan i shtetit këtë javë udhëton drejt Evropës për një takim me aleatët e NATO-s. Tymi mbulon qiellin mbi qytetin e Odesës. Autoritetet lokale thonë se raketat goditën qytetin port të Ukrainës, i njohur si “Perla e Detit të Zi”.

Në Odesa ndodhet edhe selia e marinës ukrainase. Një përfaqësues i ministrisë ruse të mbrojtjes tha se anijet dhe avionët rusë qëlluan objektet e përpunimit të naftës dhe depot e karburantit, të cilat ai pretendoi se u ofronin mbështetje trupave ukrainase. Një zyrtar ukrainas tha se kjo është një praktikë e ndyrë e shkatërrimit të infrastrukturës jetike.

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon për të gjashtën javë, trupat ukrainase thonë se po fitojnë terren dhe se forcat ruse po tërhiqen. Por presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, paralajmëron për gjendjen e rënduar të civilëve që jetojnë mes minave, mjeteve luftarake dhe kufomave në rrugë. Nga frika e minave-kurth, në qytetin Bucha, ushtarët ukrainas tërheqin kufomat me kabllo.

“Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Këtu jetojnë mbi 100 kombësi. Këtu bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha kombësive. Ne nuk duam t’i nënshtrohemi politikës së federatës ruse. Prandaj po shkatërrohemi”, tha presidenti Zelesnky.

Kryebashkiaku i Buchas thotë se ndërsa po tërhiqeshin, forcat ruse ekzekutuan civilët me duart e lidhura pas shpine. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken thotë se Rusia ka kryer krime lufte.

“Nuk mund të rrimë në heshtje. Kjo që po ndodh nuk pshtë normale. Ky është realiteti i asaj që po ndodh, ndërsa Rusia vazhdon agresionin kundër Ukrainës. Prandaj duhet të marrë fund”, thotë zoti Blinken.

Pavarësisht provave në rritje, Rusia mohon se ka shënjestruar civilët. Një këshilltar i presidencës ukrainase përshkruan dëshmi të krimeve të luftës.

“Mes viktimave të krimeve ruse janë gra të përdhunuara që ata u përpoqën t’i digjnin, vranë zyrtarë të qeverisjes lokale, fëmijë, të moshuar, burra – shumë prej të cilëve me duart e lidhura – pasi u torturuan u qëlluan në pjesën e pasme të kokës”, thotë Oleksiy Arestovych. /VOA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme