Shtohen thirrjet për një mbështetje më të fortë ushtarake për Ukrainën

Botë | 5 vite më parë

Udhëheqësit e NATO-s u mblodhën sot (të enjten) në Bruksel për një takim të jashtëzakonshëm mbi luftën në Ukrainë. Siç njofton nga selia e NATO-s korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, po shtohen thirrjet që Perëndimi të ndërmarrë veprime më të forta ushtarake në mbështetje të Ukrainës.

Numri i civilëve të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë po rritet nga dita në ditë. Nëse vrasjet vazhdojnë, Perëndimi do të ketë një detyrim moral për t’u përfshirë në konflikt, thotë Fabrice Pothier, ish-drejtor i planifikimit të politikave në aleancën e NATO-s.

“Ne mund t’i parandalojmë masakrat dhe vdekjet nëse NATO-ja do të ishte e gatshme të rrezikonte më shumë”, thotë ai.

Çfarë veprime të rrezikshme mund të ndërmerren? Zoti Pothier thotë se NATO mund të vendos bllokada detare mbi Rusinë.

“Mendoj se duhet të kontrollojmë më shumë qasjen në Baltik dhe në Detin e Zi. Deti Baltik është kritik për tregtinë ruse. Shtatëdhjetë për qind e tregtisë ruse kalon përmes Baltikut. Natyrisht, ata nuk do ta lejonin këtë, por unë mendoj se ne jemi të përgatitur, kemi planet dhe kemi aftësitë për ta bërë këtë”, thotë zoti Pothier.

NATO-ja duhet të luaj me Rusinë lojën e saj, thotë zoti Pothier.

“Ne mund të bëjmë shumë më tepër në aspektin e operacioneve kibernetike, pra në luftën hibride që ka zbatuar Putini prej disa vitesh. Ne kemi aftësi në këtë fushë që mund të shkaktojë probleme për makinerinë luftarake të Putinit.”

Presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar njoftoi një ndihmë shtesë ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshinë dërgimin e dronëve dhe sistemeve “Stinger” për mbrojtjen ajrore.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, i cili ka qenë përfaqësues i posaçëm i Shtetevet të Bashkuara për Ukrainën deri në vitin 2019, thotë se Kievi ka nevojë për më shumë armë.

“Më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, përfshirë ato që operojnë në lartësi më të mëdha. Më shumë sisteme që mund të përdoren për të goditur nga toka anijet ushtarake ruse në Detin e Zi. Besoj se Ukrainës duhet t’i jepen avionët MiG-29 dhe avionë të tjerë luftarakë , por ne ende nuk kemi arritur në këtë pikë. I kuptoj argumentet kundër vendosjes së një zone ndalim-fluturimi, por mendoj se nuk duhet ta eliminojmë plotësisht këtë opsion”, thotë ai.

Zoti Volker thotë se duhet të ketë një koordinim më të mirë të përpjekjeve për furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake.

“NATO mund të ofrojë një qendër koordinimi në Poloni për dërgimin e sigurt dhe të suksesshëm të armëve në Ukrainë”.

Udhëheqësit perëndimorë kanë frikë se çdo përshkallëzim i situatës mund të çojë në konfrontim të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe forcave ruse, dhe një konflikti midis fuqive bërthamore.

Por disa argumentojnë se NATO duhet të rrezikojë më shumë tani, ose do të përballet me një kërcënim shumë më të madh nëse Rusia e pushton Ukrainën. /VOA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme