Bombardimi i termocentralit bërthamor në Ukrainë, ministrat e Jashtëm të NATO-s takim në Bruksel

Ministrat e jashtëm të NATO-s janë takuar të premten paradite në Bruksel në një mbledhje jashtë radhe të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha para takimit se do të koordinoheshin dhe konsultoheshin për përgjigjen e NATO-s ndaj pushtimit brutal rus të Ukrainës, si dhe implikimeve afatgjata.
Sekretari i NATO-s dënoi edhe njëherë sulmet ndaj civilëve, ndërsa ka vlerësuar se sulmi kundër termocentralit bërthamor, tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e përfundimit të saj.
Stoltenberg ka thënë se për këtë është e rëndësishme që Rusia të tërheqë të gjitha trupat e saj dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike. Aleatët e NATO-s kanë zbatuar sanksione të paprecedentë, ka deklaruar Kreu i Aleancës bashkë me faktin që ofrohet mbështetje për Ukrainën. Sekretari i përgjithshëm ka ndarë nga ana tjetër NATO-n nga të qenurit pjesë e konfliktit.
”NATO është një Aleancë mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë luftë, konflikt me Rusinë” ka thënë ai. ”Në të njëjtën kohë, ne duhet të sigurohemi që të mos ketë asnjë keqkuptim në lidhje me angazhimin tonë për të mbrojtur të gjithë aleatët, deklaroi Stoltenberg duke pranuar rritjen e pranisë së forcave të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës si prani mbrojtëse. Në këtë pikë ”mirëpres angazhimin e fortë nga Shtetet e Bashkuara me më shumë trupa’ ka thënë ai.
Po ashtu Aleatët Evropianë dhe Kanadaja që po rriten me më shumë prani në pjesën lindore të Aleancës, në tokë, në det dhe në ajër, janë të mirëpritur nga Aleanca ka thënë Stoltenberg duke theksuar se kriza me të cilën po përballemi tani tregon rëndësinë e qëndrimit të Amerikës së Veriut së bashku në solidaritet strategjik në NATO.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken nga ana e tij tha po ashtu se “Aleanca është mbrojtëse”. ”Por nëse konflikti arrin tek ne, jemi gati për të dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s,” tha Blinken, duke dënuar sulmet e Rusisë ndaj civilëve në Ukrainë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




