Autoritetet ukrainase: Forcat ruse kanë “pushtuar” centralin bërthamor të Zaporizhzhia

Botë | 5 vite më parë

Forcat ruse kanë “pushtuar” termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia (NPP) në Ukrainën jugore pasi një zjarr shpërtheu në objekt herët të premten, sipas Inspektoratit Rregullator Shtetëror Bërthamor të Ukrainës.

Aktualisht, vendi i NPP Zaporizhzhia është i pushtuar nga forcat ushtarake të Federatës Ruse,” tha organi rregullator në një deklaratë të premten.

“Ndërtesa administrative dhe pika e kontrollit në stacion janë nën kontrollin e pushtuesve”, tha Energoatom, operatori i energjisë bërthamore i Ukrainës, në një deklaratë përmes Telegram të premten.

“Stafi i uzinës vazhdon të punojë në njësitë e energjisë, duke siguruar funksionimin e qëndrueshëm të objekteve bërthamore,” shtoi Energoatom. “Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e mbrojtësve ukrainas të stacionit”. 

Gjashtë reaktorët e termocentralit mbeten të paprekur, megjithëse ndërtesat ndihmëse të ndarjes së njësisë së reaktorit 1 janë dëmtuar, tha Inspektorati Shtetëror Rregullator Bërthamor.

“Sistemet dhe komponentët e rëndësishëm për sigurinë e NPP-së janë funksionale”, thuhet në deklaratë. Me njësinë 1 jashtë funksionit, katër nga gjashtë njësitë janë duke u ftohur ndërsa një njësi jep energji.

“Për momentin, nuk është regjistruar asnjë ndryshim në situatën e rrezatimit”, thuhet në deklaratë.

Pas granatimeve të rënda nga forcat ruse të premten herët, një zjarr shpërtheu në centralin bërthamor, duke shkaktuar alarm nga ekspertët dhe zyrtarët ukrainas.

Zjarrfikësit fillimisht nuk mundën të hynin në vend. Pas pak luftimet u ndërprenë, zjarrfikësit u lejuan të hynin brenda dhe zjarri u shua. Nga zjarri nuk raportohet për viktima.

Autoritetet amerikane dhe ukrainase thanë se nivelet e rrezatimit dukeshin normale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme