Ministri i Jashtëm ukrainas, telefonatë me homologun kinez, i kërkon Kinës të ndërmjetësojë me Moskën

Botë | 5 vite më parë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i kërkoi homologut të tij kinez, gjatë një telefonate të zhvilluar sot, që të përdorë lidhjet e Pekinit me Moskën, për të ndaluar pushtimin ushtarak të Rusisë ndaj fqinjit të saj. Kjo u bë e ditur me anë të një deklarate nga ministria e jashtme e Ukrainës.

Sipas deklaratës, Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi, i tha Kulebas se Pekini ishte i gatshëm të bënte çdo përpjekje për të ndihmuar në përfundimin e luftës përmes diplomacisë. Kina, e cila është afruar më shumë me Moskën vitet e fundit, ndërkohë që ka pasur gjithashtu lidhje të përzemërta diplomatike dhe lidhje të forta tregtare me Ukrainën, ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj vendit ose t’i quajë veprimet e saj atje një pushtim.

Telefonata mes të dyve është e para që raportohet që nga sulmi i Rusisë ndaj fqinjit të saj të enjten e kaluar. Ajo u iniciua nga Kuleba, sipas ministrisë së jashtme të Kinës. “Wang përsëriti thirrjen e Kinës për një zgjidhje të krizës përmes negociatave, duke thënë se ajo mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje politike”, tha ministria e jashtme kineze në një deklaratë. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme