Lufta në Ukrainë, Presidenti i Kinës bisedë telefonike me Putinin

Botë | 5 vite më parë

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten pasdite një bisedë telefonike me homologun e vet rus Vladimir Putin. Të dy liderët shkëmbyen mendime  mbi gjendjen në Ukrainë.

Kreu i Kremlinit foli për historinë e çështjes ukrainase, si edhe për gjendjen dhe qëndrimin e Rusisë për sa i përket operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainën Lindore. Putini vuri në dukje se ShBA-ja e NATO-ja shpërfillën shqetësimet e ligjshme të sigurisë të Rusisë, shkelën premtimet dhe vazhduan zgjerimin ushtarak drejt Lindjes, gjë që sfidoi vijën e kuqe strategjike të Rusisë. Ai shtoi se pala ruse është e gatshme të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me palën ukrainase.

Presidenti Xi Jinping, nga ana e tij, vuri në dukje se ditët e fundit, gjendja në Ukrainën Lindore ka ndryshuar në mënyrë dramatike, gjë që ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimi i Kinës varet nga të drejtat dhe të gabuarat e vetë çështjes ukrainase. Sipas tij, duhet të hiqet dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe të respektohen shqetësimet e arsyeshme të çdo pale. Po ashtu, është e nevojshme që të arrihet një mekanizëm i ekuilibruar, i qëndrueshëm dhe i efektshëm për sigurinë europiane. Pala kineze mbështet palën ruse dhe palën ukrainase në zgjidhjen e çështjes nëpërmjet negociatave. Kina gjithmonë respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, si edhe qëllimet e parimet e Kartës së OKB-së, theksoi Xi Jinping-u.

Pala kineze, vijoi më tej ai, është e gatshme të mbështetë me të tëra palët e bashkësisë ndërkombëtare një koncept të përbashkët, gjithëpërfshirës, bashkëpunues dhe të qëndrueshëm të sigurisë, si edhe të ruajë me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme