Kufizime tregtare ndaj Lituanisë, BE nis veprim ligjor kundër Kinës

Botë | 5 vite më parë

Bashkimi Evropian ka nisur një veprim ligjor në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër kufizimeve tregtare të vendosura nga Kina dhe që prekin eksportet e Lituanisë.

Komisioni Evropian njoftoi se ka ngritur një padi brenda strukturës së OBT-së për shkak të praktikave diskriminuese tregtare të Kinës kundër Lituanisë.

Në deklaratë thuhet se KE-ja ka mbledhur prova në javët e fundit, përfshirë dështimin e produkteve lituaneze për të kaluar nga dogana, refuzimin e aplikimeve për import nga Lituania dhe presionin ndaj kompanive të BE-së për të hequr Lituaninë nga zinxhiri i furnizimit për eksportet në Kinë

Konsultimet janë hapi i parë në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së.

Nëse një rezultat pozitiv nuk mund të merret brenda 60 ditëve gjatë procesit të konsultimit, kërkohet të krijohet një panel për këtë temë.

Marrëdhëniet kinezo-lituaneze u tensionuan pasi Lituania lejoi Tajvanin të hapë një zyrë përfaqësuese në territorin e saj. Kina tërhoqi ambasadorin e saj nga Lituania, duke argumentuar se vendimi ishte një sulm ndaj parimit “Një Kinë” dhe të drejtave të saj sovrane në ishull. Kohët e fundit, importet e Kinës nga Lituania janë ndalur.

Pekini argumenton se rënia e papritur e importeve nga Lituania nuk është për shkak të pengimit të shtetit, por se bizneset dhe individët kinezë kanë ndaluar blerjen e mallrave nga vendi me iniciativën e tyre.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme