Mundesia e pushtimit rus, Biden paralajmëron Putin për pasoja “të rënda”

Pas presidentit francez dhe kancelarit gjerman edhe Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi për pasoja “të rënda” dhe “të mëdha” për presidentin rus, Vladimir Putin, përfshirë sanksionet personale kundër tij, nëse udhëheqësi rus mobilizon rreth 127,000 trupa që janë gati për të goditur përgjatë kufirit ukrainas.
“Unë ia kam bërë të qartë presidentit Putin që në fillim, se nëse ai do të hyjë në Ukrainë, do të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë sanksione të rëndësishme ekonomike, si dhe do të ndjehesha i detyruar të forcojë praninë tonë, praninë e NATO-s, në frontin lindor, në Poloni, Rumani, etj”, tha presidenti Biden, duke shtuar se “nëse ai do të hynte (në Ukrainë) me të gjitha ato forca, do të ishte pushtimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Do ta ndryshonte botën”. Ai gjithashtu theksoi se asnjë nga 8,500 trupat amerikane të vëna në gatishmëri të lartë këtë javë, nuk do të vendoset në territorin ukrainas dhe ato do të vendosen si pjesë e një operacioni të NATO-s, jo një operacioni vetëm të Shteteve të Bashkuara. Ai nuk tha se kur do të mund të urdhëronte vendosjen e trupave në rajon.
“Unë kam folur me secilin nga aleatët tanë në NATO… virtualisht. Jemi të gjithë në një vijë”, tha presidenti Biden. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse … ne, NATO-ja, do t’i dilnim në mbrojtje apo jo”. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, shfrytëzoi një fjalim televiziv për të bërë thirrje për qetësi në Ukrainë. Presidenti Zelenskiy tha se po bëhen plane që ai të takohet me udhëheqësit e Rusisë, Gjermanisë dhe Francës. Ndërsa Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të martën se do të kërkojë sqarime rreth synimeve të Rusisë, gjatë një telefonate me presidentin Putin, të planifikuar për të premten.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




