Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut: Trump të dhëna fiktive mbi vlerën e pasurive të tij

Botë | 5 vite më parë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut njoftoi gjykatën të martën vonë në mbrëmje se hetuesit kishin gjetur prova se kompania e ish-Presidentit Donald Trump kishte përdorur të dhëna fiktive mbi vlerën e pasurive të tij, me qëllimin për të marrë kredi e siguruar përfitime tatimore.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë zyra e prokurorit nuk ka vendosur ende nëse do të ngrejë një padi civile në lidhje me akuzat, por hetuesit po kërkojnë të marrin në pyetje zotin Trump dhe dy fëmijët e tij më të mëdhenj.

Ish-Presidenti Donald Trump dhe avokatët e tij thonë se hetimi ka motiove politike.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme Letitia James tha se organizata Trump ka ofruar të dhëna false mbi sipërfaqen e një apartamenti luksoz në pronësi të tij, që ndodhet në lagjen Manhatan të Nju Jorkut, duke e raportuar atë si rreth trefish më të madhe sesa sipërfaqja reale, një ndryshim në vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh. Zonja James citonte mbi këtë çështje dëshminë e dhënë nga kryefinanciari për një kohë të gjatë i organizatës Trump, Allen Weisselberg, i cili u akuzua vitin e kaluar për mashtrim me taksat në një hetim penal paralel.

Zyra e zonjës James detajoi gjetjet e saj në një kërkesë paraqitur gjykatës, nëpërmjet së cilës kërkon të sigurojë marrjen në pyetje të zotit Trump, vajzës së tij Ivanka Trump si dhe djalin e tij Donald Trump Jr. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme