Gjykata miraton dëbimin e Novak Gjokoviçit nga Australia

Botë | 5 vite më parë

Shpresat e tenistit serb Novak Gjokoviç, për të luajtur në turneun Australian Open, u rrënuan të dielën pasi një gjykatë hodhi poshtë ankesën e tij ndaj një urdhri dëbimi.

Tre anëtarë të Gjykatës Federale vendosën të lënë në fuqi një vendim të së premtes të ministrit të Emigracionit, për anulimin e vizës për 34-vjeçarin serb, për shkak të interesit publik.

Vendimi do të thotë se ka të ngjarë që Novak Gjokoviçi, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, do të qëndrojë në paraburgim në Melburn derisa të dëbohet. 

Zakonisht dëbimi përfshinë edhe ndalimin e hyrjes në Australi për tre vjet me radhë.

Ministri Alex Hawke e anuloi vizën me arsyetimin se prania e Novak Gjokoviçit në Australi mund të jetë një rrezik për shëndetin publik dhe “mund të jetë kundërproduktive ndaj përpjekjeve për vaksinimin” në shkallë të gjerë në Australi.

Viza e Gjokoviçit u anulua fillimisht më 6 janar në aeroportin e Melburnit, disa orë pasi ai mbërriti për të marrë pjesë në turne, ndërsa pohoi se kishte siguruar një dokument që e përjashtonte nga rregulli sipas të cilit vizitorët që futen në Australi, duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.

Pas mbërritjes, zyrtarët e Forcave Kufitare vendosën se dokumenti i Novak Gjokoviçit është i pavlefshëm dhe ai u mbajt së bashku me azilkërkuesit e tjerë në një hotel paraburgimi të emigracionit për disa ditë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme