Takimi SHBA-Rusi, Moska: Nuk e pushtojmë Ukrainën, por duam garanci nga NATO

“Nuk mendoj se dikush do të befasohej nga fakti se Rusia do të na thoshte se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën. Se këto janë thjeshtë manovra dhe stërvitje ushtarake. Por do theksoja se asnjë nga këto manovra nuk ishte e lajmëruar dhe ne e lajmërojmë njëri-tjetrin për stërvitje të mundshme aty ky mundemi. Ata mund të provojnë atë që thonë duke tërhequr trupat nga kufiri”, tha Wendy Sherman, Zv.sekretare Amerikane e Shtetit.
Rreth 100 mijë trupa ruse besohet të jenë pozicionuar pranë kufirit me Ukrainën, duke nxitur frikën për një pushtim të mundshëm. SHBA ka kërcënuar Rusinë me sanksionet më të forta deri më tani nëse do të sulmojë.
“I shpjeguam kolegëve tanë se nuk kemi në plan të sulmojmë Ukrainën. Stërvitjet ushtarake të trupave po zhvillohen brenda territorit tonë dhe nuk ka asnjë arsye t’i frikësohemi një skenari të tillë”, Sergei Ryabkov, Zv.minister i Jashtëm i Rusisë.
Zëvendës Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, i cilësoi bisedimet si të sinqerta dhe drejtpërdrejta dhe kishin ndihmuar për të kuptuar më mirë shqetësimet e secilës palë. Megjithatë ajo theksoi se Uashingtoni i kishte refuzuar ato që i quajti propozime të papranueshme për qeverinë amerikane, përfshirë kërkesën e Moskës që NATO të angazhohej për të mos e anëtarësuar kurrë Ukrainën në aleancë. “Ne nuk do të lejojmë askënd të minojë politikën e dyerve të hapura të NATO-s e cila ka qenë bosht i aleancës”, tha ajo.
Bisedimet janë të parat e një sërë takimeve mes SHBA, aleatëve dhe zyrtarëve rusë këtë javë qe do të përfshijnë gjithashtu një takim në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën dhe atë OSBE ditën e enjte.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




