I dërguari special i Kanadasë për luftën kundër antisemitizmit reagon ndaj “Ligjit për Laicizmin” në Quebec

Botë | 5 vite më parë

I dërguari special i Kanadasë për luftën kundër antisemitizmit, Irwin Cotler, ka kritikuar ashpër “Ligjin e Laicizmit” të rajonit Quebec i cili ndalon mësuesit dhe disa punonjës të tjerë në sektorin publik të përdorin simbole fetare në vendet e punës.

Prof. Irwin Cotler, i emëruar nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau, për luftën kundër antisemitizmit, ka dënuar ligjin në fjalë i cili njihet si “Bill 21” dhe është shprehur se ky ligj lejon ndërhyrjen e shtetit ndaj fesë.

Duke folur për agjencinë zyrtare të lajmeve CanadianPress të Kanadasë, Cotler tha se “Kisha dhe shteti tradicionalisht janë të ndara në Kanada. Dhe kjo siguron që qeveria të jetë e paanshme ndaj feve dhe që të mos diktojë mënyrën dhe se si njerëzit ta zbatojnë atë. Mbështetësit e Bill 21 pretendojnë se ligji siguron ndarjen e këtyre të dyjave, por ligji nuk ndan fenë dhe shtetin nga njëri-tjetri sepse lejon ndërhyrjen e shtetit ndaj fesë”.

Cotler, i cili gjatë periudhës nga 2003 deri në 2006 ka kryer detyrën e ministrit të drejtësisë dhe kryeprokurorit dhe i cili është një ish-deputet i Partisë Liberale, tha se Bill 21 shkel të drejtat e njeriut edhe të Kandasë edhe të Quebec.

Bill 21 i cili hyri në fuqi në vitin 2019 nga qeveria e rajonit Quebec, ndalon punonjësit e sektorit publik në rajon që të vendosin simbole fetare si kryq, shami dhe kipa.

Në kuadrin e ligjit, së fundmi u largua nga puna për shkak të shamisë Fatemeh Anvari, e cila kryente profesionin e mësueses në një shkollë fillore në Chelsea. Ndaj këtij zhvillimi i cili gjeti jehonë të madhe në mbarë vendin kanë ardhur reagime nga çdo shtresë dhe ndaj “Ligjit të Laicizmit” u protestua në shumë qytete.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme