Kinë-Ukrainë, përparim në zhvillimin dypalësh

Presidenti kinez Xi Jinping foli të martën për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Ukrainë në 30 vjetët e fundit dhe bëri thirrje për përparim më të madh në bashkëpunimin dypalësh dhe për krijimin e më shumë përfitimeve për të dy popujt, shkruan Radio e Jashtme e Kinës.
Xi Jinping-u dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkëmbyen urime për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Në mesazhin e tij për Zelensky-n, Xi vuri në dukje se marrëdhëniet kino-ukrainase kanë ruajtur një hov të shëndoshë dhe të qëndrueshëm zhvillimi që nga vendosja e lidhjeve diplomatike 30 vjet më parë.
Të dyja palët kanë thelluar besimin e ndërsjellë politik, kanë kryer bashkëpunim të frytshëm në fusha të ndryshme dhe kanë forcuar shkëmbimet njerëzore, duke rritur mirëqenien e dy popujve, tha presidenti Xi.
Që nga shpërthimi i COVID-19, Kina dhe Ukraina i kanë ardhur në ndihmë njëra-tjetrës dhe e kanë luftuar së bashku pandeminë, duke demonstruar miqësinë e tyre të thellë, shtoi ai.
Xi theksoi gjithashtu se ai i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të partneritetit strategjik midis Kinës e Ukrainës dhe është i gatshëm të punojë me presidentin Zelensky për të marrë 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të promovuar lidhjet dypalëshe në fusha të ndryshme në dobi të vendeve dhe popujve të tyre.
Në mesazhin e tij, Volodymyr Zelensky theksoi se, gjatë 30 vjetëve të fundit, marrëdhëniet dypalëshe kanë ruajtur zhvillimin pozitiv, me kontakte të ngushta në të gjitha nivelet dhe bashkëpunim konkret të frytshëm.
Ukraina ka besim të plotë në perspektivat e gjera të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë midis dy vendeve, vijoi më tej Zelensky, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të thellojë miqësinë tradicionale ndërmjet të dy popujve, të forcojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të çojë përpara partneritetin strategjik mes të dy vendeve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




