BE forcon ligjet për krimin mjedisor

Botë | 5 vite më parë

Eurokomisioneri i Mjedisit, Virginijus Sinkevicius zbuloi sot plane të reja për të nxitur ndjekjet penale për shkeljet mjedisore pasi BE-ja duhet “të jetë e qartë se krimet mjedisore shoqërohen me viktima”.

“Shumë shpesh në Evropë nuk ka dënim të vërtetë për krimin mjedisor”, tha Sinkevicius në një konferencë shtypi në Bruksel.

“Shkelësit e ligjit mund të mbeten të pandëshkuar dhe ka shumë pak stimuj për të respektuar ligjin”, theksoi ai.

“Planet janë një lëvizje për të shtrënguar legjislacionin penal si pjesë e politikës më të gjerë të tranzicionit të Bashkimit Evropian drejt një ekonomie dhe shoqërie më miqësore me mjedisin për të luftuar ndryshimet klimatike”, tha eurokomisioneri.

“Propozimet detajojnë më mirë se si BE i përcakton veprat penale që lidhen me ndotjen, mbetjet dhe kërcënimin e biodiversitetit, duke ndihmuar ndjekjet penale dhe duke forcuar sundimin e ligjit mjedisor”, shtoi Sinkevicius.

”Propozohet gjithashtu një trajnim më i madh dhe bashkëpunim ndërkufitar me shkëmbim të zgjeruar të të dhënave ndërmjet autoriteteve policore”, shtoi ai.

Komisioni ka paraqitur gjithashtu shkelje të reja si dhe dënime më të ashpra nëse një shkelje mjedisore rezulton me humbje jete.

Planet do të dorëzohen pranë Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për miratim.

Sipas Interpolit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, shkeljet mjedisore si prerja e paligjshme e pyjeve ose hedhja e mbeturinave janë aktiviteti i katërt më i madh kriminal në botë dhe me një rritje prej pesë deri në shtatë për qind./DPA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme