Peach: Londra kërkon një Ballkan Perëndimor të sigurt

Qeveria britanike do një Ballkan Perëndimor të sigurt, me institucione të forta, demokratike dhe me sundim të fortë të ligjit, tha i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, sipas REL.
Në një video-mesazh për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, me rastin e vizitës së tij në këtë vend, Peach tha se kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka kërkuar ta marrë postin për të mbështetur përpjekjet e Londrës në të gjithë rajonin.
Ai tha se dëshiron të ofrojë mbështetje për zgjidhjet politike si dhe të promovojë integrimet euroatlantike.
“I gëzohem bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë edhe përfaqësuesin e lartë [ndërkombëtar] dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe ofrimit të mbështetjes për ata që angazhohen në përparimin e këtij vendi”, tha Peach.
“Sot jam në Sarajevë në kuadër të vizitës sime të parë si i dërguar i posaçëm”, tha ai në video-mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në Twitter.
Peach u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në fillim të dhjetorit.
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ai do të bashkëpunojë me partnerët e Britanisë së Madhe, në mbështetje të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




