BE nis një fond prej 1.7 miliardë eurosh për të ndihmuar organizatat joqeveritare jashtë bllokut

Botë | 5 vite më parë

Bashkimi Evropian (BE) ka nisur një program prej 1.5 miliardë eurosh për të mbështetur organizatat joqeveritare jashtë bllokut evropian.

“Komisioni (Evropian) sot ka miratuar programin e Organizatave të Shoqërisë Civile të Evropës Globale me vlerë prej 1.5 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027”, njoftoi organi ekzekutiv i BE-së.

Skema do të mbështesë organizatat e shoqërisë civile në vendet jo anëtare të BE-së, në mënyrë të pavarur nga pëlqimi i qeverive të vendeve partnere, në mënyrë që të promovojë sundimin e ligjit, demokracinë dhe stabilitetin në mbarë botën.

Financimi do të fokusohet më së shumti në shoqatat që janë aktive në fushën e rinisë, në mbrojtjen e të drejtave të grave, punëtorëve dhe konsumatorëve, si dhe në organizatat rurale, mjedisore, LGBT dhe minoritare.

“Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol thelbësor në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ekspozimin e shkeljeve të tyre dhe duke kërkuar veprim nga qeveritë për të mbrojtur qytetarët e tyre”, tha Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së, duke shpjeguar se blloku evropian synon të mbështesë “punën e guximshme të përditshme” në këto grupe të cilat shpesh kërcënohen.

Komisioni Evropian në muajt e ardhshëm do të hapë thirrje për propozime për përdorimin e fondeve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme