Ukraina akuzon Gjermaninë për bllokimin e blerjes së armëve nëpërmjet NATO-s

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, akuzoi Gjermaninë për bllokimin e shitjes së armëve në vendin e tij përmes Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së për një pushtim të mundshëm rus.
Muajin e kaluar, Gjermania vendosi veto ndaj shitjes së pushkëve kundërajrore dhe sistemeve anti-snajper përmes Agjencisë së Mbështetjes dhe Furnizimit të NATO-s, tha Reznikov në një intervistë për Financial Times.
“Ata vazhdojnë të ndërtojnë gazsjellësin Rrjedha e Veriut 2 dhe në të njëjtën kohë bllokojnë (blerjet) tona të armëve mbrojtëse. Kjo është shumë e padrejtë”, shtoi ai, duke iu referuar gazsjellësit rus që kalon përmes Detit Baltik drejt Gjermanisë.
Reznikov shtoi se duke pasur parasysh hapin e Gjermanisë, Ukraina do të kërkojë të furnizojë armë përmes marrëveshjeve dypalëshe me aleatët e saj, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Lituaninë dhe Francën.
Që nga marsi i vitit 2014, Ukraina është rrënuar nga konflikti në rajonet e saj lindore në kufi me Rusinë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia.
Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë për destabilizimin e rajonit duke ofruar mbështetje ushtarake për separatistët./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




