Peshkatarët francezë do të bllokojnë portet dhe tunelet për shkak të mosmarrëveshjeve me Britaninë

Botë | 5 vite më parë

Ekuipazhet franceze të peshkimit kërcënojnë se do të bllokojnë portet franceze dhe trafikun nën Kanalin Anglez sot për të ndërprerë qarkullimin e mallrave në Britani të Madhe, në shenjë proteste lidhur me mosmarrëveshjen e licencave të peshkimit pas Brexit-it.

Është pika më e fundit e tensioneve midis vendeve fqinje, të cilat po tregtojnë fajin për mosbërjen e mjaftueshme për të parandaluar vdekjen e të paktën 27 emigrantëve, anija e të cilëve u përmbyt të mërkurën pranë Calais, në ujërat e rrëmbyeshme të rrugës më të ngarkuar të anijeve në botë.

Peshkatarët francezë janë të zemëruar me qeverinë britanike që nuk ka ndarë më shumë licenca për peshkim në ujërat e Britanisë si dhe janë zemëruar me qeverinë e tyre që nuk ka bërë më shumë për t’i mbrojtur ata.

Industria e peshkimit ka një ndikim të vogël në ekonomi, por simbolikisht është e rëndësishme si për Britaninë ashtu edhe për Francën.

Kërcënimet me bllokada për sot janë “një goditje paralajmëruese”, u tha gazetarëve Olivier Lepretre, kryetari i komitetit rajonal të peshkimit.

Ekuipazhet e peshkimit pritet që me varkat e tyre të bllokojnë portet në Calais, Saint-Malo dhe Ouistreham ndërsa me automjete të bllokojnë autostradën që çon në tunelin poshtë Kanalit.

Peshkatarët protestojnë në “përgjigje ndaj qëndrimit tallës dhe poshtërues të anglezëve”, u tha gazetarëve Gerard Romiti, kryetar i komitetit kombëtar të peshkimit.

Zëdhënës i kryeministrit britanik, Boris Johnson tha se Britania ishte “e zhgënjyer nga kërcënimet me aktivitete protestuese”.

Përpara Brexit-it, peshkatarët francezë mund të peshkonin thellë në ujërat britanike. Tani atyre u duhet një licencë speciale nga autoritetet britanike për të peshkuar në zona të caktuara. Shumica e anijeve franceze kanë marrë licenca speciale, por jo të gjitha./AA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme