Qindra irakianë të bllokuar në kufirin Bjellorusi-Poloni kthehen në shtëpi

Qindra irakianë që ishin bllokuar në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë, që synonin të hyjnë në Bashkimin Evropian (BE), janë kthyer vullnetarisht në shtëpi.
Një aeroplan me disa prej tyre mbrëmë u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Erbilit.
Dje në një njoftim, Qeveria Rajonale Kurde (KRG) e Irakut tha se në mbërmje një aeroplan që do të niset nga Bjellorusia me emigrantë irakianë do të mbërrijë në Erbil.
“Rreth 20 mijë persona që synonin të hyjnë në Evropë përmes Bjellorusisë ishin të bllokuar për më shumë se një muaj. Mbi 460 persona u regjistruan për t’u kthyer dhe aeroplani do të transportojë 430 prej tyre nga Iraku dhe KRG-ja”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, 432 shtetas të tjerë irakianë u kthyen në Bagdad nga Bjellorusia përmes një aeroplani në kuadër të një operacioni riatdhesimi të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Irakut.
“Ne morëm viza për në Bjellorusi dhe shkuam për të udhëtuar. Më vonë, kur dëgjuam se kishte migrim për në Evropë menduam se do të kishim një të ardhme më të mirë dhe shkuam në kufi. Megjithatë, ëndrrat tona u shkatërruan dhe u kthyem në Irak”, tha Abdullah Ahmed për AA sapo arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.
Ersat Suphi, një tjetër irakian që mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit, tha se ka shkuar në Bjellorusi 12 ditë më parë.
“Menduam se do të fillojmë një jetë të re duke shkuar në Poloni dhe më pas në Gjermani. Ne kemi vuajtur nga uria dhe mjerimi në kufi”, u shpreh ai.
Suphi tha se ata u vendosën në zona pyjore larg Lituanisë dhe Polonisë dhe shtoi se ushtarët bjellorusë ua morën celularët, ushqimin, pijet dhe paratë e tyre.
Të hënën e kaluar, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Irakut, Ahmed al-Sahhaf, tha se 571 shtetas irakianë ishin zbuluar në tetë kampe në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.
Që nga muaji gusht, tre vendet e Bashkimit Evropian (BE) në kufi me Bjellorusinë, respektivisht Lituania, Letonia dhe Polonia, kanë raportuar një numër në rritje të kalimeve të parregullta.
Këtë vit mbi 8 mijë persona janë përpjekur të kalojnë në bllokun evropian përmes Bjellorusisë, ndërsa vitin e kaluar janë përpjekur vetëm 150 persona.
Sipas BE-së, Bjellorusia me sa duket kontakton me udhëtarët e mundshëm përmes kanaleve zyrtare, duke përfshirë misionet diplomatike dhe agjencitë e udhëtimit, si dhe i fton ata në Bjellorusi duke u ofruar viza. Më pas, siç supozohet, ata udhëzohen në kufirin e BE-së.
Gjatë javës së fundit, të paktën 2 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuar në kushte të rënda në zonën kufitare midis Bjellorusisë dhe Polonisë./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




