Ministrat e Jashtëm të Francës, Azerbajxhanit dhe Armenisë diskutojnë për Karabakun

PARIS (AA) – Ministrat e Jashtëm të Francës, Azerbajxhanit dhe Armenisë u takuan të mërkurën në Paris për të diskutuar rreth rajonit të Karabakut të Azerbajxhanit jugperëndimor.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Francës thuhet se ministri francez Jean-Yves Le Drian zhvilloi takime të veçanta me homologun azerbajxhanas dhe atë armen, Jeyhun Bayramov dhe Ararat Mirzoyan. Më pas ata zhvilluan një takim trepalësh në kuadër të Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Franca kërkon të kontribuojë në forcimin e dialogut ndërmjet palëve dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në Kaukazin e Jugut, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu u theksua se Le Drian dëshiron të vazhdojë dialogun me Azerbajxhanin dhe Armeninë.
– Çlirimi i Karabakut
Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit dhe shtatë rajone tjera.
Përleshjet e fundit shpërthyen më 27 shtator 2020, ku ushtria armene sulmoi civilët dhe forcat e Azerbajxhanit si dhe shkeli marrëveshjet humanitare të armëpushimit.
Luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor 2020.
Gjatë konfliktit 44-ditorë, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia për gati 30 vjet./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




