Rusia kërcënon me veto për të dërguarin e OKB-së në Bosnje-Hercegovinë

Botë | 5 vite më parë

Rusia ka kërcënuar me veton në Këshillin e Sigurimit lidhur me një mosmarrëveshje mbi emërimin e politikanit gjerman, Christian Schmidt si përfaqësues i lartë i Kombeve të Bashkuara në Bosnje-Hercegovinë.

Moska ka kërcënuar ”se do të vërë veton ndaj autorizimit të Këshillit të Sigurimit për forcën stabilizuese shumëkombëshe të udhëhequr nga evropianët në Bosnje-Hercegovinë”.

Votimi në Këshill ishte caktuar për sot, ndërsa është shtyrë për të mërkurën pasdite.

Autorizimi i mëparshëm i këshillit prej 15 anëtarësh për forcën stabilizuese skadon ditën e premte.

Rusia dhe shumë anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit, kryesisht perëndimorë, kanë qenë kohët e fundit në mosmarrëveshje rreth politikës së Bosnje-Hercegovinës.

Disa muaj më parë, Rusia dhe Kina u përpoqën pa sukses të shfuqizojnë postin e Përfaqësuesit të Lartë që Schmidt kishte marrë më 1 gusht, me argumentin se ”pozicioni i tij nuk ishte më i nevojshëm”.

Por, diplomatët perëndimorë në Nju Jork theksuan se ”Këshilli i Sigurimit nuk kishte autoritetin për të vendosur nëse Schmidt do të mbante postin e Përfaqësuesit të Lartë”.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës 1992-1995, kërkon që Këshilli i Zbatimit të Paqes të caktojë një Përfaqësues të Lartë.

Bosnje-Hercegovina me tre grupet e saj kryesore etnike, boshnjakët, serbët dhe kroatët, drejtohet nga një administratë shumë komplekse dhe shumetnike, e kryesuar nga një presidencë tripalëshe./ATSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme